Skip to main content

Ka ardhur koha për një Kongres Mbarëkombëtar për TURIZMIN


Parathënie: Pasi e kam dërguar këtë artikull që në Gushtin e kaluar (Gusht 2013)  në disa media dhe nuk është botuar, vendosa ta botoj vetë në këtë blog. Sot jemi në një tjetër dimension komunikimi publik, sot ne mund të krijojmë apo zhvillojmë vetë rrugët e komunikimit me publikun dhe audjencën tonë, për të komunikuar dhe ndarë me ta mendimet të cilat i konsiderojme me vlerë. Duke ju falenderuar për kohën, më poshtë është artikulli.




Ka ardhur koha për një Kongres Mbarëkombëtar për TURIZMIN

Nga: Dritan ZAIMI
Kontakt: dzaimi@gmail.com

Impakti direkt dhe indirekt i turizmit në GDP-në botërore për vitin 2012 është 9%, ai ofron 1/11 vende pune, përbën 1.3 trilion USD eksporte duke zënë 6% të eksporteve botërore, ndërkohë që parashikimet janë që deri në 2030 numri i vizitorëve ndërkombëtarë të arrijë në 1.8 billion, me një ritëm rritje prej 4.4% tek ekonomitë që futen së fundmi në tregun turistik, një rritje kjo dyfish e asaj në ekonomitë e avancuara e parashikuar të jetë 2.2%. Gjatë vitit 2012 rritja në mbërritje u barazua me rritjen në të ardhurat, të dyja shënuan rritje reale prej 4% secila, të ardhura prej 1,075 billion dollarë amerikanë. Europa si gjithmonë zë pjesën dominante në tregun botëror të turizmit, me 51.6%, ku nënrajoni i Mesdheut sërish është më i vizituari në Europë, me 191.1 milion vizitorë, duke zënë 18.5% të Europë. (Burimi: Raporti UNWTO Tourism Highlights, July 2013 Edition)
Këto janë vetëm disa nga faktet që ofron turizmi në botë, kjo forcë e madhe që lëviz dhe ndez shumë turbina duke rritur nivelin mirëqënies në shumë vende që e kanë lidhur ekonominë e tyre me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Padyshim kur flasim për turizmin dhe rëndësinë që duhet ti kushtojmë është mirë të flasim seriozisht, kjo pasi është bërë e udhës këto vite të dëgjojmë turizmi është prioritet i kësaj apo i asaj qeverie, në fushatat zgjedhore turizmi është një armë e fuqishme zhvillimi në programet e shumë subjekteve politike, por që në fakt harrohet shumë shpejt porsa ndodh të vijnë në pushtet.
Prioritet nuk e bën një deklaratë, në rastin më të mirë kjo shprehë vetëm dëshirën apo vullnetin e mirë, por janë veprimet konkrete ato që tregojnë se sa prioritet është ai në ekonominë e një vendi. Bie fjala, nuk ka sesi të jetë prioritet kur ky dikaster ka patur raste që është lënë për muaj të tërë pa një titullar, kur pushtetit lokal ia rrembejmë vëmëndjen nga problemet e turizimit në prag sezoni dhe ia drejtojmë tek procesi zgjedhor çdo dy vjet që bëhen zgjedhjet e përgjithëshme dhe ato lokale, nuk ka sesi të jetë prioritet kur mungojnë shifrat për turizmin, analizat e plota dhe të detajuara përsa i përket kërkesës dhe ofertës, nuk ka sesi të jetë prioritet kur mungojnë programet e trajnimit dhe formimit profesional në një fushë që shquhet se ka mungesë të theksuar të specialistëve dhe menaxherëve, madje sikur të mos mjaftonte mungesa e eksperiencës dhe hyrja jonë e vonë në tregun turistik, ne shpesh sërish presim që studentët të arrijnë në vitin e tretë dhe atëherë të mësojnë për turizmin, gjithmonë për ata studentë që kanë zgjedhur të ndjekin degën menaxhim turizëm apo të ngjashme, në një kohë kur turizmi si fenomen është aq multidispilinar sa që është e domosdoshme studimi i tij që në fillore dhe gërshetimi në vazhdim më lëndë të tjera si gjuhë e huaj, gjeografi, histori, biologji, sociologji, sport, kulturë etj, në mënyrë që të prodhojë sa më shumë vlerë në shërbimin ndaj turistit.
E po kështu nuk ka sesi të jetë prioritet kur në plazhet tona mungojnë elementë të tillë si uji dhe dritat, higjena e pastërtia, qetësia dhe siguria, nuk ka sesi të jetë prioritet kur ndërhyrjet në peisazhe, në arkitekturë dhe infrastrukturë bëhen rëndom dhe pa asnjë kriter për zhvillimin e qëndrueshëm.
E po të ecim kështu lista do të jetë e gjatë, problematikat janë të shumta, jo për të errësuar përpjekjet pozitive për promocionin dhe përmirësimin në infrastrukturën rrugore veçanërisht këto vite të fundit, por për të hedhur dritë mbi çështjet e mbuluara nga errësira dhe të patrajtuara për vite me radhë dhe mbi të gjitha për të theksuar domosdoshmërinë se asgjë nuk duhet fshehur por duhet zgjidhur me kontributin e të gjithëve.
Turizmi është si një anije në det të hapur, e cila nëse pëson avari por të gjithë antarët e ekuipazhit angazhohen njëlloj, ajo ka shumë shance të mbërrijë e sigurtë në breg, por nga ana tjetër mjafton që vetëm njëri nga ekipi të sabotojë dhe anija përfundon në fund të detit. Turizmi është ai fenomen kompleks që sjellë bashkë aktorë nga fusha dhe industri të ndryshme, mjafton që cilësia e shërbimit të çalojë në njërën nga hallkat: hotel, transport, restorant, komunitet, mikpritje, siguri rrugore dhe shendetsore etj, dhe anija nuk mbërrin më në breg vitin tjetër.
Do të arrijmë ta besojmë se e kemi bërë prioritet turizmin vetëm atëherë kur çdo antarë i shoqërisë sonë,  i madh e i vogël, e kupton se çfarë është turizmi, kupton mënyrën sesi zhvillohet ai, kupton përfitimet dhe impaktet negative, kur çdo qytetar i thjeshtë apo banor i komunës së largët e kthen turizmin në prioritet të ditës së tij, kur mendon dhe vepron çdo ditë në favor të turizmit, për të kontribuar, për të ofruar dhe për të përfituar nga kjo rritje e madhe nga ku edhe Shqipëria mund të dalë teje përfituese.
Nga duhet tja nisim?
Ka ardhur koha që të mendojmë seriozisht për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar për TURIZMIN, jo asnjë kongres politik, potencialet turistike dhe turisti, nuk janë asete politike por mbarëkombëtare. Qëllimi i këtij kongresi duhet të jetë marrja e masave për kthimin e turizmit në një prioritet real mbarëkombëtar.
I konceptuar si një arenë, e ngjashme me festivalin folklorik të Gjirokastrës deri diku, ai do të jetë një tribunë ku do të dëgjohet zëri e çdo kujt aktori që lidhet me turizmin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tribunë ku do të ngjiten me radhë të gjithë aktorët e pushtetit lokal nga të 12 qarqet, bashkitë, komunat, biznesi dhe të promovojnë potencialet turistikë të çdo rajoni dhe të paraqesin prioritetet, projektet dhe problematikat përkatese. Kjo do të ndihmojë të njihen bukuri të shumta lokale të cilat kanë vlera, potenciale dhe aftësi të madhe për të ndryshuar dhe përmirësuar mirëqënien e banorëve lokale, si edhe kthimi real i tyre në mundësi punësimi dhe aktivitet që gjenerojnë të ardhura.
Një tribunë ku me radhë do të ngjiten sektorët e industrisë turistike, hoteleria, agjencitë dhe tur operatorët, linjat e transportit etj për të paraqitur të gjithë shqetësimet, kërkesat dhe propozimet e tyre për përmiresimin e situatës. Një ditë e caktuar duhet ti lihet diskutimit nga organizatat jofitimprurëse lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare për të paraqitur konstatimet dhe opsionet e tyre. Nuk duhet të mungojë në këtë kongres hapësira e nevojshme për akademikët e fushës së turizmit për të demonstruar dhe sjellë njohuritë me bashkëkohore në këtë fushë. E kështu me radhë të argumentojnë dhe të paraqesin idete e tyre të gjithë ekspertët dhe analistët, të kenë mundësinë të shprehen edhe grupe të rëndësishme interesi brenda apo jashtë vendit, për të dëgjuar më tej politikbërësit dhe vendimmarrësit përfaqësues të qeverisë, ministrisë apo strukturave përkatëse që do të mbulojnë turizmin, Agjensisë Kombëtare të Turizmit, drejtuesit e galerive, muzeumeve, parqeve arkeologjike dhe natyrore,  por edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha ministritë që kanë një impakt mbi turizmin si ajo e transportit, ekonomisë dhe energjitikës, bujqësisë, ushqimit, shëndetsisë, mjedisit, rendit, arsimit, punës etj.
Nuk duhet të mungojnë as  përfaqësues nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, rajonet që kanë përbërë tregun kryesorë, nuk ka sesi të injorohet zëri i tyre, së pari sepse kanë përbëre kërkesën kryesore turistike për pushime në Shqipëri, së dyti do ti kontribuonte promovimit të vlerave turistike, forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimin të eksperiencave sidomos me Kosovën,  dhe së treti, do të kontribuonte në përpilimin e paketave turistike për turistë të cilët duan të arrijnë në një njohje më të gjërë të të gjithë rajonit.
Nën prezencën e organizmave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Turizmit, UNESCO, Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit etj, dhe nën këshillimin e ekspertëve të tyre, ky kongres duhet të jetë i aftë të hartojë vizionin e turizmit shqiptar dhe të projektojë rrugën drejt tij. Ai do të shërbejë si një lobarator idesh dhe unifikim mendimesh dhe burim i çmuar informacioni për marrjen e vendimeve të drejta dhe hartimin e strategjive të duhura afatgjate.
Më në fund duhet të kuptojmë njëherë e mirë cilat janë projektet, iniciativat, praktikat dhe modelet e sjelljeve që do të mbështeten dhe inkurajohen dhe cilat janë ato që do të luftohen, ndalohen dhe ndërshkohen rreptësisht nga vetë shoqëria dhe insitucionet përkatëse, duke hequr dorë njëherë e mirë nga spontaniteti në zhvillimin e turizmit.

Gusht, 2013.

Comments

Popular posts from this blog

Shqipëria dhe oferta turistike

Shqipëria dhe oferta turistike Shqipëria turistike duhet të jetë ajo që blejnë turistët dhe jo ajo që shesim ne Dritan Zaimi Kontakt: dzaimi@gmail.com Turizmi është sot industria me rritjen më të shpejtë dhe zhvillimin më dinamik në botë. Menaxherëve, planifikuesve dhe politikbërësve u duhet të jenë shumë vigjilentë, mendjemprehtë, praktikë dhe efiçentë në marrjen e masave të duhura dhe zbatimin e tyre në kohë, kjo pasi tendencat e reja në një turizëm me rritje të shpejtë tentojnë të zhvlerësojnë shpejt shumë strategji të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me hapin e zhvillimit të turizmit. Një plan veprimi i vonuar mund të dalë jashtë loje apo të jetë joaktual nëse vonon të prodhojë veprim dhe reagim në kohën e duhur.  Për Shqipërinë, kjo është edhe më shumë e vërtetë (futur në tregun e turizmit pas një kohe të gjatë izolimi dhe pa patur mundësi të eksperimentonte apo të ndërtojë një produkt të vetin turistik), është e vështirë të përcaktosh

Letersi: Tregimi "Lumi"

Botuar per here te pare ne gazeten “Zeri i Rinise”, 1996. Nga: Dritan Zaimi Kontakt: dzaimi@gmail.com  LUMI Ishte prag pranvere. Kishte kohë që toka seç ndjente disa turbullira nga brenda, pak shqetësim. Dimri sapo kish kaluar dhe s’kishte qënë shumë i vështirë. Megjithatë ai seç i kishte grumbulluar diçka nga brenda që shtyhej e shtyhej për të gjetur një shteg për të dalë. Toka e dinte mirë këtë dhe po ndiente dhimbje gjithnjë e më të mëdha, gjersa një ditë, në të aguar, në rrëzë të një kodre u hap një burim i ri. Uji i pastër si kristal filloi të dalë. Cikërrima e tij filloi dëgjohej përreth. U verbua paksa nga drita e diellit pastaj u ambientua dhe filloi të shpërndahej përqark. Era i pushpuriti fytyrën dhe ai ende pa u mësuar mirë filloi të dridhej paksa. Tashmë po zvarritej përqark pa ndonjë qëllim të caktuar. Aty-këtu, pengohej paksa nga ndonjë grumbull dheu dhe stepej pak. Fytyra e tij ishte aq e pastër sa pemët përreth të cilat e vështronin nga sipër
Mikpritja shqiptare, midis atraksionit dhe sherbimit turistik! Dritan ZAIMI,  Kontakt: dzaimi@gmail.com Nëse do të pyesinim një të huaj që viziton Shqipërinë se çfarë i ka lënë më shumë përshtypje  gjatë vizitës në vendin tonë, patjetër që pavarësisht  eksperiencave të tyre individuale, të gjithë do të vëjnë në pahë mikpritjen shqiptare, zakonin që befason dhe nuk të zhgënjen, ende! Sot, e ndeshim shpesh terminologjinë, industria e turizmit dhe mikpritjes, duke nënkuptuar lidhjen e fortë dhe të pashmangëshme që egziston midis turizmit dhe shërbimit të kujdesit ndaj klientëve. Në ndërtimin e një produkti turistik, merr shumë rëndësi imazhi i vendit që shërben si destinacion turistik, zakonisht  investohet shumë kohë dhe mjete për krijimin dhe mirëmbajtjen e imazhit pozitiv, por nuk është dashur të bëhej asnjë investim konkret që të krijohet imazhi pozitiv për mikpritjen shqiptare, sepse ai ka buruar natyrshëm nga tradita e popullit në shekuj, është përforcuar në historit