Monday, September 28, 2015

Letersi: Tregimi "Lumi"

Botuar per here te pare ne gazeten “Zeri i Rinise”, 1996.

Nga: Dritan Zaimi
Kontakt: dzaimi@gmail.com



 LUMI


Ishte prag pranvere. Kishte kohë që toka seç ndjente disa turbullira nga brenda, pak shqetësim. Dimri sapo kish kaluar dhe s’kishte qënë shumë i vështirë. Megjithatë ai seç i kishte grumbulluar diçka nga brenda që shtyhej e shtyhej për të gjetur një shteg për të dalë. Toka e dinte mirë këtë dhe po ndiente dhimbje gjithnjë e më të mëdha, gjersa një ditë, në të aguar, në rrëzë të një kodre u hap një burim i ri. Uji i pastër si kristal filloi të dalë.
Cikërrima e tij filloi dëgjohej përreth. U verbua paksa nga drita e diellit pastaj u ambientua dhe filloi të shpërndahej përqark. Era i pushpuriti fytyrën dhe ai ende pa u mësuar mirë filloi të dridhej paksa. Tashmë po zvarritej përqark pa ndonjë qëllim të caktuar. Aty-këtu, pengohej paksa nga ndonjë grumbull dheu dhe stepej pak. Fytyra e tij ishte aq e pastër sa pemët përreth të cilat e vështronin nga sipër si gjigantë mund të shihnin në të edhe fytyrën e tyre. Nganjëherë ndonjë gjethe magjepsej aq shumë sa zbriste nga dega dhe e puthte në fytyrë.
Uji që sapo kish filluar të rrjedhë s’e kuptonte mirë ç’po ndodhte, ç’ishin ata gjigante që e vështronin, gjithësesi ai mundohej të përhapej, të kalonte nga pak vështirësitë. Pemët dhe gjithçka përreth tij herë e qeshnin e herë u vinte keq tek e shihnin të pengohej mes gurëve apo tek zmbrapsej aty ku dilte, megjithatë, ato e dinin që fillimi gjithmonë ka qënë i vështirë.
Sasia e ujit që dilte nga burimi sa vinte e shtohej dhe uji e ndjente veten gjithmonë e më të fuqishëm. Mërmërima e tij po rritej. Kish filluar të largohej nga burimi dhe aty afro dhjetë metra larg iu duk sikur e gjeti rrugën dhe vazhdoi në atë drejtim. Pemët gëzoheshin tek dëgjonin gurgullimën e tij. Uji vazhdonte të zbriste tatpjetë vrullshëm, herë përplasej pas ndonjë shkëmbi e herë stepej pak para ndonjë grumbulli të madh dheu.
Burimi nxirrte gjithnjë e më shumë ujë, sasia e tij shtohej dhe rruga zgjerohej. Tashmë s’ishte thjesht ujë burimi por lumë i vërtetë, ecte përpara duke zgjatur dhe zgjeruar shtratin e tij. Gurgullima e tij ishte bërë më e zhurmshme dhe dëgjohej jo vetëm nga pemët por edhe nga kodrat përreth të cilat ai kish filluar edhe ti gërryente nga pak. Fytyra e tij kish ndryshuar, nuk ishte me krejt e pastër, shpeshherë po turbullohej.
Lumi ecte përpara por s’dinte se ku po shkonte. Dikur i kishin thënë se një ditë do të takohej me një oqean të madh e aty merrte fund edhe rruga e tij, por ai s’e besonte, i dukej se rruga e tij do të ishte e gjatë dhe se s’do të mbaronte kurrë. E ai rendte pa e ditur ç’do ti ndodhte, pa e ditur fatin e së nesërmes.
Kështu pa e kuptuar ai herë futej në lugina të thella ku thuajse i zihej fryma fare dhe vetja i dukej si një rob i kodrave dhe i shkëmbinjevë të thepisur e herë dilte në fusha të gjëra ku qetësohej pak, merrte frymë thellë, i dukej se kishte gjetur rrugën e vërtetë, por prapë përplasej me shkëmbinj, tashmë s’dorëzohej më. Hidhej prej tyre me një kërcim të bukur, krijonte ujvara e katarakte magjepsëse, aty vritej paksa nga gjunjët, por përsëri vazhdonte, përplasej me shpatet e maleve, i gërryente dhe i çante përpara duke e ndjerë veten mjaft të fuqishëm. Sasia e ujit që mbante në kurriz ishte tepër e madhe.

.  .  . Kishin kaluar muaj prej ditës së tij të parë, kishte kaluar pranvera, vera kishte qënë e thatë por lumi e kishte kaluar lehtë në sajë të burimit që e furnizonte përherë me ujë të bollshëm. Ishte afruar vjeshta, shirat filluan dhe domosdo vërshimi do të ishte më i madh. Përveç ujit që dilte prej tokës mëmë, shirat filluan ta ndihmonin jashtëzakonisht, lumi filloi të mblidhte ujë nga kodrat dhe nga malet. Vërshimin e tij s’mund ta ndaltë asgjë.
Shpeshherë ndeshej me pemë të larta të cilat i shkulte rrëmbyeshëm, nganjëherë edhe e teproi duke dalë jashtë rrugës së tij e duke përmbytur edhe fusha të tëra. Fytyra e tij ishte krejt e turbullt.
Kaloi vjeshta, kaloi dimri dhe aty nga fundi i tij një gëzim i ri i erdhi lumit, gjatë rrugës u shkëmbye me një lumë paksa më të vogël, i futi krahun dhe e mori në rrugën e tij. Tani ecnin dy lumenjë në një shtrat, një çift i mrekullueshëm.
Lumi zgjatej e zgjerohej duke u larguar gjithnjë e më shumë nga burimi. Përsëri iu desh të ndeshej me shkëmbinjë e shpate malesh, nganjëhere edhe te kapërcente humnera dhe ai gjithmonë fitimtar i kalonte aq lehtë me një hijeshi që të tërhiqte.
Kjo ishte koha e lavdisë së tij, gjatë gjithë kësaj kohe ai kishte ardhur i bëshëm e i fuqishëm. Por pranvera e dytë po kalonte dhe vera dukej e nxehtë, e etur për të pirë ujin e tij. Rrezet e diellit filluan ta përcëllonin, shirat kishin kohë që kishin pushuar e të gjitha këto kishin çuar në dobësimin e tij.
Nxehtësia po ia avullonte pak e nga pak fuqitë. Burimi po vinte duke u tharë, s’mund ta furnizonte më me ujë.
Kur ndeshej me zallë e me rërë ndalej e ngaqë s’kishte më fuqi priste të grumbullonte forca e t’i kalonte. Vera po e digjte gjithnjë e më shumë e lumi pothuaj ishte dobësuar fare. Aq shumë ishte dobësuar sa mund të shikoje edhe gurët e zallit nën ujin e tij të vakët. Shtati po i vinte gjithnjë duke u tkurrur. Me dhimbje kujtonte lavdinë e dikurshme, atëherë kur ishte i fuqishëm e si atletë i vërtetë kalonte më delikatesë vështirësitë, u pendua edhe për pemët që kishte gërryer e shkulë, për fushat e tëra që pati mbuluar me llumin e tij. Por tashmë ishte tepër vone, s’dinte ç’të bënte më, mallkoi tërë urrejteje verën e nxehtë që ia shteroi fuqitë dhe priste me padurim vjeshtën, por s’mund ta priste dot.
Dhe veç atëherë vështroi drejt qiellit dhe iu kujtua fëmijria, iu kujtua ç’i patën thënë për rrugën e tij. Përsëri vështroi në çdo skaj të qiellit por asnjë re, asnjë fije shprese. E më në fund i tmerruar pa drejt horizontit, atje ishte ai, oqeani i madh.  Në fillim pati frikë por kur mendoi se s’ishte as i pari dhe as i fundit, vendosi të ecte i qetë me fyryrë të rrudhosur. Më në fund këmbët iu lagën nga shkuma e oqeanit, lumi shtrihej sa gjerë e gjatë në shtratin të tij.
Rruga ishte mbyllur. Lumi lëngonte, gurët nën trupin e tij mbuloheshin nga një cipë uji. Burimi shteri, lumi vazhdonte të gurgullonte por fundi qe nisur, po vinte drejt tij. Boshatisej dhe po i merrej fryma nga avulli. Jo vetëm këmbët por edhe gjunjët, i gjithë trupi po zhytej në oqean, deri sa edhe pikat e fundit dolën prej shtratit dhe u bashkuan me oqeanin.



                                                                        *           *           *



Shtrati qëndronte bosh. Aty, këtu shiheshin pellgje me ujë si shenja të egzistencës së tij. Kështu përfundojnë të gjithë lumenjtë, e nisin rrjedhën e tyre nga një burim dhe përfundojnë në oqean, vetëm gjatësia e tyre ndryshon, dikush më i gjatë, dikush më i shkurtër.




Wednesday, September 16, 2015

Edukimi Mjedisor dhe Turizmi

Edukimi Mjedisor dhe Turizmi
28 Prill 2014

Dritan Zaimi, kontakt: dzaimi@gmail.com

Në zhvillimin e turizmit, merr një rëndësi të madhe edhe studimi i mjedisit, asnjë eksperiencë turistike nuk është krejt e shkëputur dhe izoluar nga kontakti me mjedisin, për aq kohë sa me turizëm nënkuptojmë lëvizjen nga një pozicion gjeografik në një tjetër, atëherë edhe raporti ynë me mjedisin është i rikonfiguruar, kjo e thënë në mënyrën më të thjeshtë të mundëshme. Ndërkohë, në të shumtën e rasteve, ashtu siç edhe e dimë, kontakti me natyrën, me bukuritë dhe veçoritë e saj, është ndër arsyet kryesore përse njerëzit vizitojnë vende të reja. Në një kontakt, teje intensiv me natyrën siç është edhe ai i turizmit, janë të pashmangshme edhe pasojat negative që mund të vijnë herë si pasojë e papërgjegjshmërisë individuale apo kolektive dhe hërë si pasojë e mungesës së ndërgjegjësimit apo mospasjes së informacionit përkatës si nga ana e banorëve lokalë por edhe nga ana e turistëve që vizitojnë një vend të ri, duke mos njohur veçoritë dhe specifikat e mjedisit të ri dhe pasojat e mundëshme të veprimeve të tyre mbi të. Në të dyja rastet e mësipërme, analizimi i shkakut dhe ofrimi i zgjidhjeve duhet të shihen tek informimi dhe ndërgjegjësimi. Është detyrë e të gjithë organizatave pubike, prívate apo joqeveritare në fushën e mjedisit dhe të turizmit që të hartojnë programe informimi mbi veçoritë natyrore të zonave të tyre, të ndërgjegjësojnë banorët lokalë dhe vizitorët mbi dëmet apo rreziqet potenciale që vijnë nga aktivitete të pakontrolluara si nga ana e komunitetit ashtu edhe nga bizneseve turistike si edhe nga vetë vizitorët, dhe po kështu të orientojnë vëmëndjen e këtyre të fundit ndaj vlerave të rralla natyrore të zonës me qëllim shtimin e kuriozitetit dhe  rritjen e fuqisë tërheqëse të tyre.
Guiduesit, duhet të kenë informacion të pasur rreth florës dhe faunës së vendeve që vizitojnë në mënyrë që vizitorët të realizojnë një njohje sa më të mirë dhe të përftojnë një eksperiencë sa më të pasur. Ruajtja e mjedisit është një përpjekje e cila ka nevojë për angazhimin dhe kontributin e shumë aktorëve, eskpertiza e të cilëve është shumë e mirëpritur dhe  e vlerësuar. Kështu, është detyrë e botanistëve, biologëve, zoologëve, gjeologëve dhe e të tjerë specialistëve lokal që të përgatisin udhëzuesa dhe katalogë për zonat e tyre, dhe të realizojnë njohje dhe shpërndarje të gjërë. Në këtë mënyrë ata do të kontribuonin në evidentimin e vlerave të zonës, do të ndërgjegjësonin banorët lokale dhe do të jepnin një kontribut të vyer edhe në rritjen cilësorë të punës së organizatorëve dhe shoqëruesve të udhëtimeve turistike.
Ndjekja e shtigjeve të mirë-studjuara me qëllim ruajtjen e mjedisit nga veprimtaria e pakujdeshme njerëzore, udhëzimi mbi qëndrimin ndaj mbetjeve që krijohen gjatë fushimit pranë atraksioneve, largimi i mbeturinave, ruatja dhe mos shqetësimi i botës së egër, respektim i kulturave dhe zakoneve lokale, etj janë më tej vetëm disa nga rregullat bazë që duhet të udhëqin organizatorët dhe shoqëruesit e udhëtimeve turistike në natyrë me qëllim që turizmi të mos jetë viktim e veprimtarisë së tij. Në Shqipëri, shembujt nga e kaluara janë të shumtë, por ndryshe nga me parë kur vëmëndja kthehej nga praktikat e këqija mjedisore në bregdet, tani alarmi bie me shumë se  kurrë edhe për mbrojtjen e mjediseve malore. Tani që gjithmonë e më shumë po shtohen vizitorët në malet dhe në zonat rurale, po ndihen edhe pasojat e para të një aktiviteti aspak etik dhe shumë të dëmshëm dhe të  kushtueshëm për të ardhmen.
Por çështjet e mjedisit nuk prekin thjesht dhe vetëm turizmin, por ndikojnë në të gjithë ekuilibrat që sigurojnë egzistencën tonë, harmoninë dhe paqen e marrëdhënies tonë me mjedisin. Ndaj fokusimi mbi edukimin mjedisor merr një dimension shumë më të madh.
Duke filluar që në vitet gjashtëdhjetë, kur modeli i krijuar i rritjes u sfidua dhe u denoncua ndikimi i tij mbi mjedisin, janë kryer diagnoza të shumta të krizës së mjedisit. Qëniet njerëzore gradualisht po fillojnë të kenë një pikëpamje të re mbi mjedisin e tyre dhe një perceptim i ri i marrëdhënies njerëzim-shoqëri-mjedis po fiton terren. Shumë raporte dhe manisfete që kanë dalë gjatë këtyre viteve pohojnë, ndërmjet të tjerash, nevojën për të marrë masa për të frenuar shkatërrimin në rritje të planetit. Këto propozime janë njohur menjëherë nga institucionet. Kështu, në arenën ndërkombëtare, Organizata e Kombeve të Bashkuara, kryesisht nëpërmjet UNESCO dhe UNEP, është promotori kryesor i  studimeve dhe programeve për mjedisin.


Destinacionet më të suksesshme turistike sot në botë janë ato që kanë ditur të investojnë ndjeshëm në përmirësimin e performancës mjedisore. Turizmi shikon tek mjedisi një partner të pazëvendësueshëm dhe synon që këtë marrëdhënie me të ta kthejë në një avantazh konkurrues të pasfidueshëm.








Wednesday, September 9, 2015

Mikpritja shqiptare, midis atraksionit dhe sherbimit turistik!

Dritan ZAIMI, 
Kontakt: dzaimi@gmail.com

Nëse do të pyesinim një të huaj që viziton Shqipërinë se çfarë i ka lënë më shumë përshtypje  gjatë vizitës në vendin tonë, patjetër që pavarësisht  eksperiencave të tyre individuale, të gjithë do të vëjnë në pahë mikpritjen shqiptare, zakonin që befason dhe nuk të zhgënjen, ende!
Sot, e ndeshim shpesh terminologjinë, industria e turizmit dhe mikpritjes, duke nënkuptuar lidhjen e fortë dhe të pashmangëshme që egziston midis turizmit dhe shërbimit të kujdesit ndaj klientëve. Në ndërtimin e një produkti turistik, merr shumë rëndësi imazhi i vendit që shërben si destinacion turistik, zakonisht  investohet shumë kohë dhe mjete për krijimin dhe mirëmbajtjen e imazhit pozitiv, por nuk është dashur të bëhej asnjë investim konkret që të krijohet imazhi pozitiv për mikpritjen shqiptare, sepse ai ka buruar natyrshëm nga tradita e popullit në shekuj, është përforcuar në historitë dhe gojëdhënat, dhe nuk ka pranuar populli ynë asnjë shpërblim për të komprementuar këtë vlerë të vyer, e ka ofruar me dashuri dhe pa asnjë përftim, sa shekuj e shekuj më parë, kur edhe në perëndim nuk njihej fjala turizëm, Shqipëria priste dhe përcillte, konaku gjithmonë i hapur, askush nuk ka pas kërkuar ndonjëherë ndonjë shpërblim, askush nuk do të mund ta blinte dot mikpritjen shpiptare.  
Të analizosh mikpritjen shqiptare nën optikën e turizmit është pikësëpari mjaft komplekse dhe e vështirë, por mbi të gjitha është shumë e bukur dhe ngazëlluese. Do të na duhet të kalojmë nëpër paradokse, në rrugë ku traseja zhytet nën ujë dhe humbet dhe pastaj të dalësh sërish e madje të fluturosh me krahë që të tjerët nuk i kanë. Kështu, në njohuritë e mia, nuk njohë ndonjë vend tjetër në botë ku zakoni i mikpritjes të jetë në përmasat e një institucioni siç është në Shqipëri. Por, pavarësisht se të tjera vende në botë nuk mund të shquhen për mikpritjen dhe bujarinë, janë të shumta ato vende që kanë industri mikpritje shumë të zhvilluar dhe janë begatuar prej turizmit. Po kështu, ne shqiptarët shquhemi si rrallë popuj të tjerë në botë, për pasionin dhe zotërimin e gjuhëve të huaja, një aftësi e domosdoshme në turizëm, por kur është fjala për ti ofruar këto njohuri aty ku ato prodhojnë vlerë, pra në kontaktin me klientin turist, ne jemi shumë larg cilësisë dhe standartit për të konkuruar denjësisht. Me të vërtetë, sa shumë paradokse, në shekuj jemi bujar dhe mikpritësa, por nuk kemi edhe sot një industri mikpritje të zhvilluar. Mburremi me gjuhët e huaja, por i kemi për përdorim personal, jo për ti shërbyer sa më mirë turistit me një informacion turistik, përkthim, transportim, apo shoqërim për tek mali, kalaja apo ujvara e zonës tonë, të cilat do të na mundësonin të ardhura shtesë për të cilat kemi shumë nevojë. Gjithë këto që përmenda janë shërbime që shiten dhe blihen fare lehtë në tregun e industrisë turistike dhe si rrjedhojë dhe të konvertueshme në vlerë. Padyshim që industria e turizmit në perëndim i referohet kësaj mikpritje, në dimensionin dhe cilësinë e shërbimit turistik, e cila ne shqiptarëve përgjithësisht na mungon, por mund ta arrijmë këtë avantazh të konkurentëve tanë nëpërmjet edukimit, trajnimit, shkëmbimit të eksperiencave.
Por ajo, mikpritja jonë tradicionale, ajo e etërve tanë, ajo e varfëra por që nuk mund të matet as me flori, ajo nuk mund blihet në asnjë treg, ajo nuk ka asnjë lidhje me dimensionet e vogla të një shërbimi të thjeshtë turistik, si rrjedhojë atë asnjë nga konkurentët tanë nuk e posedon, ajo mikpritje është vetëm e shqiptarëve dhe çdo kush që dëshiron ta përjetojë nuk do të mund ta gjejë askund në botë, përveçse në Shqipëri. Mikpritja tradicionale shqiptare është një pasuri dhe trashëgimi e madhe shekullore, një atraksion turistik me vete, e palëvizshme ashtu si malet, liqenet apo kalatë tona, ajo nuk mund të kopjohet, atë ose e ke ose nuk e ke, dhe ne fatmirësisht e kemi por fatkeqësisht po e humbasim dita-ditës. Çfarë humbje nëse për brezat që vijnë do të mbetet vetëm legjendë. Të pasura do të jenë ato treva që do të dijnë ta ruajnë dhe zhvillojnë të rrallën, të vetmen në botë, mikpritjen shqiptare.


Po sikur....?
Një Monument i Nënë Terezës në  Malin e Dajtit?
Shkurt 2015


Dritan Zaimi
Kontakt: dzaimi@gmail.com

Shumë ide interesante kanë lindur me “po sikur...”. E ndërsa jo të gjitha idetë mund t’ja vlejnë të realizohen, jam partizan i mendimit se çdo ide ja vlen të thuhet e të dëgjohet. Shumë ide vdesin nga hezitimi për tu shprehur dhe shumë të tjera nga pamundësia e ideuesit për ti realizur vetë, por kur është fjala për një të mirë të përgjithëshme, çdo ide ja vlen të shprehet, ndoshta dikush tjetër ka mundësinë për ta realizuar.
Po sikur të ndërtonim një monument të Nënë Terezës në majën më të lartë të Malit të Dajtit?
Humanistja më e madha shqiptare,  fituesja e çmimit nobel meriton të nderohet në mënyrë dinjitoze.  Shumë njerëz në botë atë e njihnin kur ende nuk kishin dëgjuar asgjë për Shqipërinë, ajo ishte pasaporta ndërkombëtare e prezantimit të shumë shqiptarëve  në botë. “Vij nga vend i Nënë Terezës, Shqipëria” ishte prezantimi i përherëshëm i shumë artistëve, sportistëve apo miseve përfaqësuese të Shqipërisë në botë, dhe prezantim ky mjaft dinjitoz.  Po ndersa Nënë Tereza e ka kryer mësë miri misionin e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve sikur ishte e gjalle edhe pas vdekjes, në sajë të famës së saj, po ne shqiptarët sa kemi bërë për të?
Në shumë vende, figura të tilla me famë dhe impakt të madh në botë, nderohen duke i’u vendosur monumentet në majat më të larta dhe dominuese, ndërsa ne në Shqipëri ende nuk kemi një muze të vizitueshëm për ti treguar fëmijëve tanë dhe vizitorëve të huaj më shumë për atë që kanë dëgjuar apo lexuar për Nënë Terezën dhe lidhjen e saj me tokën shqiptare. Dhe kjo nuk duhet bërë si për hatër të Nënë Terezës. Jo, Nënë Tereza  bëri mjaftueshëm për të nderuar vetë veten e saj dhe madje gjithë kombin, dhe përfaqëson simbolin më të mirë të sakrificës sublime në mbrotjetë paqes dhe në ndihmë të vobektëve në botë.
Këtu nuk bëhet fjalë për të nderuar Nënë Terezën, se fortë e nderuar është edhe pa të, të cilën e ka nderuar bota mbarë që për sëgjalli, këtu është fjala që ne të nderojmë vetë-veten, të vlerësojmë vlerat kombëtare, lehtësisht të atribuara nga ndërkombëtarët dhe me to te krenohemi më tej.
Kështu, pra, përse te mos i ofrojmë Tiranës një tjetër atraksion të fuqishëm turistik, një monument me përmasa sinjifikative të Nënë Terezës, vendosur në majën më të lartë të Malit të Dajtit. Monument i cili të jetë dominues dhe lehtësisht i dallueshem ditën dhe natën në sajë të ndriçimit të përshtatshëm. Një motiv më shumë që vizitorët të vazhdojnë ecjen e tyre drejt majes së malit, në një eksperiencë që gërsheton aventurën, kulturën dhe besimin, fare pranë Tiranës dhe aeroporti me të njëjtin emër?
Kur do të fillojmë të mendojme seriozisht për figurat dhe pasuritë tona kombëtare? Jo, ju lutem mos mendoni se është e pamundur, mos mendoni se malet i kemi vetëm për antenat drastike të kompanive celulare apo televizive?  Këtyre kompanive që shfrytëzojne malet tona dhe na bombardojnë çdo ditë me rrezatimin e tyre “bamirës” mund tu kërkohej që njëkohësisht dhe sëbashku të projektonin dhe realizonin këtë projekt në shërbim të shqiptarëve.  

Le të shpresojmë se ndoshta dikush ka mundësi që të shkojë përtej idesë, drejt një realizmi që do të na kënaqte dhe do na bënte krenar ne të gjithëve.

Koha per te menduar per sigurine (ne Turizem).

Koha për të menduar për sigurinë!
Janar 2015


Dritan Zaimi
Kontakt: dzaimi@gmail.com

Tashmë, Shqipëria me gjithë thesaret e saj të panumërta, derdhur me bujari të madhe nga mëma natyrë në çdo cep të vendit tonë, duket sikur po del nga skutat apo xhepat e fshehtë ku ishte fshehur. Dikur nëpër kartolina ishte bërë e udhës të shikonim qytetet tradicionale të kulturës shqiptare si: Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Saranda, Berati , Durrësi e Kruja, duke i konsideruara edhe si qendra te turizmit.  Ndërsa sot, rrjetet sociale gjithmonë e më shumë të intrigojnë me pamjet mahnitëse,  të papërshkrueshme të natyrës shqiptare, të pa ekspozuara më parë. 

Dimër, e verë, afër e larg, natyra po gumëzhin, fundjavat po gjallërohen, malet, luginat, shpellat, ujvarat e kanionet po presin çdo vit gjithmonë e më shumë vizitore vendas e të huaj. Ndërkohë që deri kohët e fundit, ka qënë e natyrshme eksporimi këtyra zonave të panjohura nga grupe të ndryshëm të mirëorganizuar, po shohim se po merr fill një tjetër trend i aventurës,ai i udhëtarëve të pavarur, që udhëtojnë vetëm apo në grupe prej 3-4 vetash për të vizituar dhe eskploruar në mënyrën e tyre dhe të pakushtëzuar çdo cep të Shqipërisë. 

Ky është një trend, në vet vete teje pozitiv, por mbart me vete edhe një rrezik të madh, atë të sigurisë së tyre në kushtet e mosnjohjes së ambjentit dhe mungesës së informacionit, faktor që mund të dëmtojë rëndë imazhim e turizmit shqiptar nëse nuk merren masa të menjëherëshme për ti paraprirë shkaqeve, për të mbështetur këtë segment vizitorësh me infomacionin dhe infrastrukturën e duhur  që do ti mundësonte atyre realizimin e ekperiencës së pritur, për të parandaluar aksidentet, dhe për të garantuar, mbi të gjitha,sigurinë e tyre.

Është kohë, kur të gjithë njësitë vendore, në bashkëpunim me operatorët lokale turistike, me organizata të shoqërisë civile apo edhe individe të caktuar, të dalin në terren dhe të skicojnë të gjithë shtigjet që shërbejnë për realizimin e një eksperience eksplorimimi,  të përgatisin shoqëruesit e tyre lokale, për çdo rast që mund të lipset shërbimi i tyre, si edhe të mundësojnë të gjithë informacionin e nevojshëm për një aventurë dhe eskperiencë sa më të sigurtë. 

Më konkretisht, duhet të jetë lehtësisht i disponueshëm informacioni i tillë si:  gjatësia e shtegut, kohëzgjatja në ecje, lloj i terrenit, vështirësitë dhe rreziqet, kushtet klimaterike, në çfarë kohe të vitit është i kalueshëm,  çfarë mund të vizitohet, cilat janë veçorite e natyre lokale, zone e mbrojtur, monumente natyrore, bota e egër, speciet që mund të shikohen dhe ato të kërcënuarat, gjeomonumentet, biomonumetnet, hidromonumentet. Ndërtimi i tabelave informuese përgjatë shtigjeve në formën e një sistemi stacionesh do të ishte një udhëprijës  shumë i dobishëm për çdo eksplorues.

Po kështu, një përshkrim mbi zakonet, traditat, vlerat social-kulturore të zonës, gastronomia etj, të përmbledhura bukur nëpër fletëpalosje, postera e broshura, së bashku me numrat e urgjencës lokale apo policisë për çdo rast nevoje të ndihmës së shpejtë, do ti bënin atraksionet tona: malet, luginat, shpellat, kanionet, ujvarat dhe në përgjithësi shtigjet tona më të sigurta, më mikpritëse dhe më të vizitueshme sado larg qofshin ato.


Wednesday, January 22, 2014

Ka ardhur koha për një Kongres Mbarëkombëtar për TURIZMIN


Parathënie: Pasi e kam dërguar këtë artikull që në Gushtin e kaluar (Gusht 2013)  në disa media dhe nuk është botuar, vendosa ta botoj vetë në këtë blog. Sot jemi në një tjetër dimension komunikimi publik, sot ne mund të krijojmë apo zhvillojmë vetë rrugët e komunikimit me publikun dhe audjencën tonë, për të komunikuar dhe ndarë me ta mendimet të cilat i konsiderojme me vlerë. Duke ju falenderuar për kohën, më poshtë është artikulli.




Ka ardhur koha për një Kongres Mbarëkombëtar për TURIZMIN

Nga: Dritan ZAIMI
Kontakt: dzaimi@gmail.com

Impakti direkt dhe indirekt i turizmit në GDP-në botërore për vitin 2012 është 9%, ai ofron 1/11 vende pune, përbën 1.3 trilion USD eksporte duke zënë 6% të eksporteve botërore, ndërkohë që parashikimet janë që deri në 2030 numri i vizitorëve ndërkombëtarë të arrijë në 1.8 billion, me një ritëm rritje prej 4.4% tek ekonomitë që futen së fundmi në tregun turistik, një rritje kjo dyfish e asaj në ekonomitë e avancuara e parashikuar të jetë 2.2%. Gjatë vitit 2012 rritja në mbërritje u barazua me rritjen në të ardhurat, të dyja shënuan rritje reale prej 4% secila, të ardhura prej 1,075 billion dollarë amerikanë. Europa si gjithmonë zë pjesën dominante në tregun botëror të turizmit, me 51.6%, ku nënrajoni i Mesdheut sërish është më i vizituari në Europë, me 191.1 milion vizitorë, duke zënë 18.5% të Europë. (Burimi: Raporti UNWTO Tourism Highlights, July 2013 Edition)
Këto janë vetëm disa nga faktet që ofron turizmi në botë, kjo forcë e madhe që lëviz dhe ndez shumë turbina duke rritur nivelin mirëqënies në shumë vende që e kanë lidhur ekonominë e tyre me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Padyshim kur flasim për turizmin dhe rëndësinë që duhet ti kushtojmë është mirë të flasim seriozisht, kjo pasi është bërë e udhës këto vite të dëgjojmë turizmi është prioritet i kësaj apo i asaj qeverie, në fushatat zgjedhore turizmi është një armë e fuqishme zhvillimi në programet e shumë subjekteve politike, por që në fakt harrohet shumë shpejt porsa ndodh të vijnë në pushtet.
Prioritet nuk e bën një deklaratë, në rastin më të mirë kjo shprehë vetëm dëshirën apo vullnetin e mirë, por janë veprimet konkrete ato që tregojnë se sa prioritet është ai në ekonominë e një vendi. Bie fjala, nuk ka sesi të jetë prioritet kur ky dikaster ka patur raste që është lënë për muaj të tërë pa një titullar, kur pushtetit lokal ia rrembejmë vëmëndjen nga problemet e turizimit në prag sezoni dhe ia drejtojmë tek procesi zgjedhor çdo dy vjet që bëhen zgjedhjet e përgjithëshme dhe ato lokale, nuk ka sesi të jetë prioritet kur mungojnë shifrat për turizmin, analizat e plota dhe të detajuara përsa i përket kërkesës dhe ofertës, nuk ka sesi të jetë prioritet kur mungojnë programet e trajnimit dhe formimit profesional në një fushë që shquhet se ka mungesë të theksuar të specialistëve dhe menaxherëve, madje sikur të mos mjaftonte mungesa e eksperiencës dhe hyrja jonë e vonë në tregun turistik, ne shpesh sërish presim që studentët të arrijnë në vitin e tretë dhe atëherë të mësojnë për turizmin, gjithmonë për ata studentë që kanë zgjedhur të ndjekin degën menaxhim turizëm apo të ngjashme, në një kohë kur turizmi si fenomen është aq multidispilinar sa që është e domosdoshme studimi i tij që në fillore dhe gërshetimi në vazhdim më lëndë të tjera si gjuhë e huaj, gjeografi, histori, biologji, sociologji, sport, kulturë etj, në mënyrë që të prodhojë sa më shumë vlerë në shërbimin ndaj turistit.
E po kështu nuk ka sesi të jetë prioritet kur në plazhet tona mungojnë elementë të tillë si uji dhe dritat, higjena e pastërtia, qetësia dhe siguria, nuk ka sesi të jetë prioritet kur ndërhyrjet në peisazhe, në arkitekturë dhe infrastrukturë bëhen rëndom dhe pa asnjë kriter për zhvillimin e qëndrueshëm.
E po të ecim kështu lista do të jetë e gjatë, problematikat janë të shumta, jo për të errësuar përpjekjet pozitive për promocionin dhe përmirësimin në infrastrukturën rrugore veçanërisht këto vite të fundit, por për të hedhur dritë mbi çështjet e mbuluara nga errësira dhe të patrajtuara për vite me radhë dhe mbi të gjitha për të theksuar domosdoshmërinë se asgjë nuk duhet fshehur por duhet zgjidhur me kontributin e të gjithëve.
Turizmi është si një anije në det të hapur, e cila nëse pëson avari por të gjithë antarët e ekuipazhit angazhohen njëlloj, ajo ka shumë shance të mbërrijë e sigurtë në breg, por nga ana tjetër mjafton që vetëm njëri nga ekipi të sabotojë dhe anija përfundon në fund të detit. Turizmi është ai fenomen kompleks që sjellë bashkë aktorë nga fusha dhe industri të ndryshme, mjafton që cilësia e shërbimit të çalojë në njërën nga hallkat: hotel, transport, restorant, komunitet, mikpritje, siguri rrugore dhe shendetsore etj, dhe anija nuk mbërrin më në breg vitin tjetër.
Do të arrijmë ta besojmë se e kemi bërë prioritet turizmin vetëm atëherë kur çdo antarë i shoqërisë sonë,  i madh e i vogël, e kupton se çfarë është turizmi, kupton mënyrën sesi zhvillohet ai, kupton përfitimet dhe impaktet negative, kur çdo qytetar i thjeshtë apo banor i komunës së largët e kthen turizmin në prioritet të ditës së tij, kur mendon dhe vepron çdo ditë në favor të turizmit, për të kontribuar, për të ofruar dhe për të përfituar nga kjo rritje e madhe nga ku edhe Shqipëria mund të dalë teje përfituese.
Nga duhet tja nisim?
Ka ardhur koha që të mendojmë seriozisht për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar për TURIZMIN, jo asnjë kongres politik, potencialet turistike dhe turisti, nuk janë asete politike por mbarëkombëtare. Qëllimi i këtij kongresi duhet të jetë marrja e masave për kthimin e turizmit në një prioritet real mbarëkombëtar.
I konceptuar si një arenë, e ngjashme me festivalin folklorik të Gjirokastrës deri diku, ai do të jetë një tribunë ku do të dëgjohet zëri e çdo kujt aktori që lidhet me turizmin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tribunë ku do të ngjiten me radhë të gjithë aktorët e pushtetit lokal nga të 12 qarqet, bashkitë, komunat, biznesi dhe të promovojnë potencialet turistikë të çdo rajoni dhe të paraqesin prioritetet, projektet dhe problematikat përkatese. Kjo do të ndihmojë të njihen bukuri të shumta lokale të cilat kanë vlera, potenciale dhe aftësi të madhe për të ndryshuar dhe përmirësuar mirëqënien e banorëve lokale, si edhe kthimi real i tyre në mundësi punësimi dhe aktivitet që gjenerojnë të ardhura.
Një tribunë ku me radhë do të ngjiten sektorët e industrisë turistike, hoteleria, agjencitë dhe tur operatorët, linjat e transportit etj për të paraqitur të gjithë shqetësimet, kërkesat dhe propozimet e tyre për përmiresimin e situatës. Një ditë e caktuar duhet ti lihet diskutimit nga organizatat jofitimprurëse lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare për të paraqitur konstatimet dhe opsionet e tyre. Nuk duhet të mungojë në këtë kongres hapësira e nevojshme për akademikët e fushës së turizmit për të demonstruar dhe sjellë njohuritë me bashkëkohore në këtë fushë. E kështu me radhë të argumentojnë dhe të paraqesin idete e tyre të gjithë ekspertët dhe analistët, të kenë mundësinë të shprehen edhe grupe të rëndësishme interesi brenda apo jashtë vendit, për të dëgjuar më tej politikbërësit dhe vendimmarrësit përfaqësues të qeverisë, ministrisë apo strukturave përkatëse që do të mbulojnë turizmin, Agjensisë Kombëtare të Turizmit, drejtuesit e galerive, muzeumeve, parqeve arkeologjike dhe natyrore,  por edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha ministritë që kanë një impakt mbi turizmin si ajo e transportit, ekonomisë dhe energjitikës, bujqësisë, ushqimit, shëndetsisë, mjedisit, rendit, arsimit, punës etj.
Nuk duhet të mungojnë as  përfaqësues nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, rajonet që kanë përbërë tregun kryesorë, nuk ka sesi të injorohet zëri i tyre, së pari sepse kanë përbëre kërkesën kryesore turistike për pushime në Shqipëri, së dyti do ti kontribuonte promovimit të vlerave turistike, forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimin të eksperiencave sidomos me Kosovën,  dhe së treti, do të kontribuonte në përpilimin e paketave turistike për turistë të cilët duan të arrijnë në një njohje më të gjërë të të gjithë rajonit.
Nën prezencën e organizmave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Turizmit, UNESCO, Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit etj, dhe nën këshillimin e ekspertëve të tyre, ky kongres duhet të jetë i aftë të hartojë vizionin e turizmit shqiptar dhe të projektojë rrugën drejt tij. Ai do të shërbejë si një lobarator idesh dhe unifikim mendimesh dhe burim i çmuar informacioni për marrjen e vendimeve të drejta dhe hartimin e strategjive të duhura afatgjate.
Më në fund duhet të kuptojmë njëherë e mirë cilat janë projektet, iniciativat, praktikat dhe modelet e sjelljeve që do të mbështeten dhe inkurajohen dhe cilat janë ato që do të luftohen, ndalohen dhe ndërshkohen rreptësisht nga vetë shoqëria dhe insitucionet përkatëse, duke hequr dorë njëherë e mirë nga spontaniteti në zhvillimin e turizmit.

Gusht, 2013.

Wednesday, April 24, 2013


Albanopolisi i panjohur -atje ku zë fill emri ndërkombëtar i shqiptarëve




Albanopolisi i panjohur -atje ku zë fill emri ndërkombëtar i shqiptarëve

Kontakt: dzaimi@gmail.com


“Të dish apo të kesh?”, një pyetje që e hasim shpesh dhe sipas mënyrës tonë i përgjigjemi duke kënaqur rrethana të caktuara, por “të kesh dhe të mos e dish” kjo do të ishte sa ironike aq edhe e dhimbëshme. Kur bëhet fjala për destinacione turistike, shtete të tëra sot në botë, mundohen të jenë sa më shumë atraktivë në sytë e turistëve. Secili duke u bazuar në burimet e veta, përcakton kompetencat dalluese dhe zhvillon avantazhin konkurues për të thithur sa më shumë vizitorë. Edhe nese nuk i  kanë vlera të caktuara, i krijojnë ato. Po kështu çdo rajon brenda një vendi, dhe çdo qytet brenda çdo rajoni, thërret gjithë atraksionet e veta për të realizuar një paketë sa më të plotë, intriguese dhe interesante për turistët duke pasuruar jo vetëm eksperiencën e turistëve por edhe jetën dhe mirëqënien social-ekonomike të komunitetit të tij. Eh padyshim, në këtë mori vlerash të ofruara, ato më të lashtat, kanë privilegjin të vizitohen më shpesh dhe të vlerësohen më shumë.
Mu desh ta filloja në këtë mënyrë këtë shkrim të shkurtër, për tu ndalur posaçërisht në jetën e banorëve të një qyteti të vogël, ku jeta gëlon me halle dhe papunësi si në shumë të tjerë në Shqipëri, pikërisht në Fushë-Krujë. Atje,  ku çdo vit kalojnë me autobus me mijra turistë të drejtuar drejt Krujës dhe që rrallë ndalen në Fushë-Krujë dhe rrethinat e saj.  Ate ku fle në heshtje një ndër thesaret më të çmuara që lidhet thellë me identitetin tonë, dhe që për çudi njihet shumë pak edhe nga vetë banorët e Fushë-Krujës, dhe edhe me pak vizitohet prej tyre.
Qyteti antik Albanopolis ose Zgërdheshi i sotëm gjendet ndërmjet qytetit të Fushë- Krujës dhe atij të Krujës, vetëm 10 km larg Aeroportit  „Nënë Tereza“. Megjithëse ende i pazbuluar dhe studjuar mirë, tani atje duken qartë muret rrethues dhe disa objekte të tjerë karakteristik. Të dhënat e para të shkruara për këtë qytet gjenden në veprën e Ptolemeut „Gjeografia“, në shekullin e dytë të erës tonë. Mendohet që qyteti ka qenë kryeqëndra e fisit ilir të Albanëve, nga të cilët rrjedh edhe emri ynë në botë, gjeneza e pasaportës tonë ndërkombëtare. Çdo banor i Fushë-Krujës duhet të ishte orator i palodhur, të fliste vazhdimisht e me mburrje, madje deri në egoizëm, për këtë vlerë të zonës së tij, madje të tërhiqte pas krahu çdo vizitor duke mos e lëshuar pa i treguar këtë kala të lashtë, dhe sigurisht në këtë mënyre të ishte pjesëmarrës aktiv në zhvillimin e turizmit dhe të nxirrte përfitimet e tij ekonomike nëpërmjet kontributit të tij. Fatkeqësisht, asnjëra dhe as tjetra nuk ndodh.
 Sipas studimeve të dijetarit të shquar shqiptar Prof. Selim Islami[i], qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit të IV deri në shekullin e I para erës së re. Ai u ndërtua fillimisht mbi bazën e një vendbanimi të fortifikuar të fiseve ilire të këtyre trevave gjatë periudhës protourbane. Studime e gërmime të pjesëshme që njihen, janë bërë në këtë qytet që në mesin e shekullit të XIX nga shumë dijetarë të huaj ndër të cilët austriaku Georg Hahn. Rilevimi i parë topografik i zonës së qytetit është bërë në qershor të vitit 1919 nga arkeologët austriake Praschniker e Schober. Veçanërisht ata bëne rilevimin e sistemit të fortifikimit dhe studjuan muret karakteristik rrethues të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratik shumë të mëdhenj.
Është provuar që në kohën e lulëzimit të tij, Albanopoli ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe që kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera. Gjatë gërmimeve atje janë zbuluar gjetje të shumta ndër të cilat shumë monedha të prera në Dyrrah, Apolloni, Lisus, Korkyre, Maqedoni etj.

Me kalimin e shekujve, për shkak edhe të luftrave e lëvizjeve të mëdha në Ballkan e në tërë Europën, Albanopoli e humbi rëndësinë e tij si qytet por ka lënë pas gjurmët e një qytetërimi të lashtë që dëshmojnë historin e lavdishme të shqiptarëve. Të vizitosh Albanopolin do të kesh mundësi të lexosh pak nga historia e Shqipërisë. Të gërmosh e të studjosh Albanopolin, me siguri do të gjendesh përpara gjurmëve të një nga qytetërimeve më të lashtë të Mesdheut.
Duke u nisur nga fakti  se në libra, emri Zgërdhesh përmëndet shumë pak, ose shumë përciptasi, të krijohet ideja se kemi të bëjmë me një histori e cila nuk ka lënë shumë gjurmë, ose maksimumi një pirg të izoluar me gurë të çrregullt, dhe ndërsa e viziton këtë vend të lashtë dhe njihesh me përmasat, shtrirjen përgjatë faqes së një kodre të tërë, kur sheh fragmentet e mureve që qëndrojnë ende, pozicionin strategjik, kur shijon pamjen mjaft piktoreske dhe njihesh me historinë e lashtë, mbetesh i magjepsur dhe fajtor që nuk e ke njohur me parë, që e ke injoruar këtë vlerë të madhe deri tani, dhe madje kritikon në faj edhe persona të tjerë që ndoshta e kanë ditur dhe nuk të kanë treguar. Si ka mundësi, ky vend që duhet të vizitohet nga çdo shqiptar, që ndodhet kaq afër kryeqytetit, që na ka dhënë emrin Albania dhe Alban, të jetë kaq i panjohur?! E çuditshme gjithashtu që rruga megjithëse jo shumë e gjatë nga Fushë-Kruja deri në Zgërdhesh, nuk është shtruar akoma, që nuk gjen një ciceron dhe madje informohesh që nuk ka madje as roje. E çuditshme që nuk gjen asnjë foto, tabelë apo tjetër mjet informative nëse je ne vendndhodhje dhe interesohesh të mesosh më shumë. E çuditshme që ndërsa rruga për në Zgërdhesh devijon nga rruga automobilistike, nuk të kap syri asnjë shenjë apo tabelë dinjitoze për këtë vend të rrallë. E çuditshme që atje rrallë gjen turistë, megjithëse autobuzët e mbushur plot me turistë kalojnë gjithmonë rrugës për në Krujë, dhe sërish e çuditshme që askush nga agjencitë turistike në Fushë-Krujë apo Krujë nuk e ka futur në itinerarin e vet.
Kruja, në vetvete ka një histori të lavdishme, por është më e vonë se ajo e qytetit antik Albanopolis, e megjithatë, të dyja këto qytete (Fushë-Krujën dhe Krujën e sotme) i bashkon një simbolikë madhore në kontributin që ato kanë dhënë në identitetin tonë kombëtar. Kruja si qëndresa e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, dhe qyteti antik Albanopolis si origjina e pasaportës sonë ndërkombëtare, dy fakte mjaft tërheqës për çdo historian apo vizitorë të thjeshtë, dhe kaq pranë njëri-tjetrit këto vende, kaq pranë Aeroportit Ndërkombëtar, dhe Tiranës, kaq afër portit të Durrësit. A nuk do të ishte plot me vlerë një itinerar që do të gërshetonte të gjitha këto saite si: Amfiteatrin e Durrësit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Prezës, Kalanë e Zgërdheshit dhe Kalanë e Krujës, në një tur mbresëlenës midis antikitetit dhe mesjetës shqiptare. Besoj se asnjë vizitor nuk do të mbetej i zhgënjyer.


[i] Informacioni nga Shoqata “Albanopolis”