Skip to main content

Gramshi- Perralle e patreguar.

Per me shume informacion dhe per ture ne kete zone: dzaimi@gmail.com

Informacioni i meposhtem dhe imazhet mbrohen nga e drejta e autorit, nuk lejohet kopjimi, apo perdorimi ne asnje lloj forme i permbajtjes apo imazheve te artikullit te meposhtem.

GRAMSHI, KJO PËRRALLË E PATREGUAR NJË UDHËTIM NË QYTETIN E VOGËL, MBUSHUR ME MREKULLI NATYRORE DHE VLERA KULTURORE


WRITTEN BY DRITAN ZAIMI ON TUESDAY, 16 APRIL 2013.
Eja me mua i dashur lexues, nëse ke pak kohë të lirë, nëse ke shpirtin e lirë dhe nëse  je në kërkim të aventurës, eja me mua të vizitojmë Gramshin, këtë përrallë të patreguar, në një përvojëë thuajse personale. Eja dhe do më të besosh pasi ta përjetosh edhe vetë dhe më pas do të jesh ti ai që do të rendësh tua tregosh të tjerëve.
Gramshi, ky qytet i vogël, me njerëz të dashur, të qetë, bujarë, mikpritës dhe plot kulturë, duket sikur është i strukur në droje nga mosvëmëndja dhe inferioriteti i kohës, si ajo mjelma e vetmuar. Në hartën turistike të Shqipërisë nuk ka asnjë shënim për Gramshin që të tërheqë sadopak vëmëndjen e vizitorëve, brenda kontureve të rrethit, e, edhe në përgjithësi, nuk ka shumë informacion për gramshin si një destinacion turistik. 
  Ja që Gramshi nuk është më larg se tri orë udhëtimi nga Tirana, një qytet i vogël  i pastër nga ku mund të kundroni të plotë pamjen madhështore të Tomorrit, këtij mali të shenjtëruar, që ia ruan këtë pamje mbresëlënëse si të një mbreti mbi fron, vetëm Gramshit dhe vizitorëve të tij.

Foto: © Dritan Zaimi

Po pse më bëri kaq shumë përshtypje Gramshi? M’u duk e thjeshtë ta gjeja këtë, fill pasi mbërrita aty, sepse ka një ujvarë mahnitëse dhe nuk është i përmendur sa Thethi, sepse ka shumë liqene, të gjithë të mrekullueshëm e nuk e njohin sa Lurën, sepse kanionet e tij janë madhështorë e nuk vizitohen sa Skrapari, sepse kishte ura po aq të vjetra sa ajo e Mesit apo e Tabakëve, sepse kishte fshatra me gjurmë qytetërimi dhe vetëm pse nuk janë buzë rrugës, nuk lakohen sa Dhërmiu…
Thesaret paçmuara të Gramshit
Liqeni i Zi, ndodhet  4 km larg fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit, nëse të ndodh ta vizitosh në Gusht, do të habitesh që nuk je i vetëm, përkundrazi zona është shumë e populluar me çadra dhe makina që ndodhen aty prej disa ditësh, shumë kanë ardhur për tu kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni i cili ka sipërfaqe rreth 3 ha, 1000-1200 m i gjatë dhe 2000-3000 m i gjerë, rrethuar me një kurorë të gjelbër prej ahu dhe rrobulli. Liqeni ka ngjyrë blu të thellë dhe përveç  vlerave të pafundme kurative të ofron një sfond të rrallë, e si qershia mbi tortë, përbri tij, Mali i Komjanit e zbukuron edhe më tej pamjen. 
Liqeni i Dushkut,  një bukuri e rrallë, kolorit pafund, ëmbëlsi dhe mbi të gjitha njw vend i paimagjinueshëm. Është ajo çfarë ti nuk e pret aspak se mund ta ndeshësh në një zonë të tillë, një liqen me një cipë të hollë uji, mbuluar me gjethet e zambakëve. Këto ditë të nxehta gushti, niveli i ujit ka rënë, kallamishtet kanë mbushur shumicën e sipërfaqes, por pavarësisht se zambakët nuk janë të lulëzuar, bukuria mbetet e rrallë, hera-herës të duket sikur je përballë një pikture, aq bukur treten e arta, e gjelbërta, jeshilja e errët, bluja dhe kadifeja e Malit të Komjanit. Liqeni ndodhet 1105 m mbi nivelin e detit, është 22 ha dhe përbën një ekosistem mjaft të pasur.
Ujvara e Sotirës, në verilindje të Tomorrit, është një thesar ku mund të shijosh dy bukuri në të njëjtin vend. Ujëvara dhe katarakti i Sotirës, krah për krah por aspak kopje e njëra-tjetrës. Secila nga këto bukuri ka personalitetin dhe veçoritë e veta, ujrat e ujëvarës vijnë nga dy të çara kryesore të malit Tomor. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5-20 m. Peisazhi i shpatit ku del uji është me disa shkallëzime në disnivel 150 m, ujvara rrethohet nga pyll dushku dhe bimësi e pasur. Kjo ujvarë është një bukuri që të lë pa fjalë, e pakrahasueshme por si çdo gjë e rrallë e magjike, edhe kjo ujvarë ka hilet e veta, këshillohet të vizitohet në periudhën e pranverës dhe fillimverës, sepse ushqehet me burime ujore nëntokësore, të cilat kur bien nën një nivel të caktuar sjellin edhe tharjen e ujvarës. Këtë gjë gjithsesi nuk e vuan katarakti, që ndodhet pak metra në të majtë të ujvarës, ofron një bukuri të rrallë. Përbri ujvarës, një hapësirë e blertë të krijon idenë e një ballkoni të përkryer natyror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjitha pamja spektakolare.
Per ture: dzaimi@gmail.com
Grabova.  Ndërsa i vijmë vërdallë Shkëmbit të Kopaçit arrijmë në Grabovën e Sipërme, ajri i pastër, kurora e gjelbër, kullotat, livadhet dhe burimet janë të pafundme. Por në Grabovën e Sipërme, përveç pamjeve mbresëlënëse të Malit të Valamarës dhe maleve përreth, ke mundësi të prekësh pasuri të rralla historike e kulturore që zor se pret ti shikosh në këto anë. Lulëzimi i Grabovës i takon periudhës së Mesjetës së Vonë, në kulmin e lulëzimit kishte 12000 banorë. Dëshmi të gjalla janë dhe sot, prania e tri urave me gurë, njëra e periudhës antike, kisha e Shën Kollit, etj. Për të gjithë të interesuarit, kënaqësia vazhdon për tek Liqenet në Malin e Valamarës, janë tre të tillë në përmasa të ndryshme, 2200 m mbi nivelin e detit, ofrojnë një pamje tepër çlodhëse dhe mjaft shpërblyese për të gjithë mundimin e shkuarjes deri atje. 
Kalaja e Irmajit. Qyteti Ilir i Kodrionit, është i pozicionuar në Malin e Tunjës 979.4 m, fragmentet e mureve të mbetura me gurë masivë janë dëshmitarë të një historie të lashtë dhe kureshtja që çdo vizitor kërkon të shuajë është se si ka mundësi të jenë ngjitur kaq lart përmbi kodër, gurë të tillë masivë me përmasat e një dere, ndërkohë që e gjithë kalaja ndodhet mbi një kodër dhe të ofron një pamje spektakolare të të gjithë horizontit por edhe kërshërimin nga afër të vetë Malit të Tomorrit.
Kanioni i Sinecit. I gjatë 2 km dhe i thellë rreth 200 m, 20-30 m i gjerë, në të ndodhen guva dhe shpella ende të paeksploruara. Pamja që të rrethon është sa mahnitëse edhe rrënqethëse, tek shikon format e ndryshme që ka gdhendur natyra mbi shkëmbinjtë. Vaskat e shumta me ujë të kristaltë dhe të ftohtë dhe të rrethuara nga shkëmbinj të vijëzuar në ngjyrë të bardhë të krijojnë idenë sikur janë veshur me gurë dekorativë të kohëve moderne. Bardhësia e veshjes së shkëmbinjve është një vepër arti më vete.
Kanioni i Holtës, gjendet midis fshatrave Bardhaj dhe Kabash, është formuar nga karsti dhe erozioni i përroit të Holtës, ka gjatësi 3 km, i gjerë 10 m. Ndërsa futesh në brendësi të këtij kanioni e ndjen menjëherë që pak veta mund të kenë shkelur aty para teje. Kanioni arrin thellësi mbresëlënëse dhe në shpate anësore ka guva të shumta që ende nuk janë eksploruar. Brenda kanionit kemi një ekosistem më vete me mikroklimën e tij. Ndërsa nga njëra anë e kanionit së bashku me rrymat e ujrave të ftohtë që zbresin nga malet e Poroçanit, vijnë dhe të përshkojnë edhe erërat e ftohta, fare pak metra më tutje, në faqen përballë, në rrëzë të shkëmbit, burojnë ujrat termale të ngrohta me ngjyrën dhe erën e tyre karakteristike. Kjo zonë përveç kanionit ka kaq shumë për të eksploruar, shpellat e shumta në të dyja anët e kanionit (Tervolit dhe Kabashit) dhe po kështu rrënojat e kalave respektive në secilën anë të kanionit.
Janë fare pak gjëra të thëna me një frymë, këto vende që në gjuhën e sotme të turizmit jemi mësuar t’u themi “atraksione”.  Në vizitën tjetër, do t’ju themi më shumë për Gramshin, e nëse ndërkohë do të keni shkuar vetë, do të keni mundësinë të shikoni nga afër këto dhe plot të pathëna të tjera. Në pranverë. Pranvera është edhe më tepër mbresëlënëse, dhe ajo vjen shpejt.
Kontakt: dzaimi@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

Shqipëria dhe oferta turistike

Shqipëria dhe oferta turistike Shqipëria turistike duhet të jetë ajo që blejnë turistët dhe jo ajo që shesim ne Dritan Zaimi Kontakt: dzaimi@gmail.com Turizmi është sot industria me rritjen më të shpejtë dhe zhvillimin më dinamik në botë. Menaxherëve, planifikuesve dhe politikbërësve u duhet të jenë shumë vigjilentë, mendjemprehtë, praktikë dhe efiçentë në marrjen e masave të duhura dhe zbatimin e tyre në kohë, kjo pasi tendencat e reja në një turizëm me rritje të shpejtë tentojnë të zhvlerësojnë shpejt shumë strategji të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me hapin e zhvillimit të turizmit. Një plan veprimi i vonuar mund të dalë jashtë loje apo të jetë joaktual nëse vonon të prodhojë veprim dhe reagim në kohën e duhur.  Për Shqipërinë, kjo është edhe më shumë e vërtetë (futur në tregun e turizmit pas një kohe të gjatë izolimi dhe pa patur mundësi të eksperimentonte apo të ndërtojë një produkt të vetin turistik), është e vështirë të përcaktosh

Letersi: Tregimi "Lumi"

Botuar per here te pare ne gazeten “Zeri i Rinise”, 1996. Nga: Dritan Zaimi Kontakt: dzaimi@gmail.com  LUMI Ishte prag pranvere. Kishte kohë që toka seç ndjente disa turbullira nga brenda, pak shqetësim. Dimri sapo kish kaluar dhe s’kishte qënë shumë i vështirë. Megjithatë ai seç i kishte grumbulluar diçka nga brenda që shtyhej e shtyhej për të gjetur një shteg për të dalë. Toka e dinte mirë këtë dhe po ndiente dhimbje gjithnjë e më të mëdha, gjersa një ditë, në të aguar, në rrëzë të një kodre u hap një burim i ri. Uji i pastër si kristal filloi të dalë. Cikërrima e tij filloi dëgjohej përreth. U verbua paksa nga drita e diellit pastaj u ambientua dhe filloi të shpërndahej përqark. Era i pushpuriti fytyrën dhe ai ende pa u mësuar mirë filloi të dridhej paksa. Tashmë po zvarritej përqark pa ndonjë qëllim të caktuar. Aty-këtu, pengohej paksa nga ndonjë grumbull dheu dhe stepej pak. Fytyra e tij ishte aq e pastër sa pemët përreth të cilat e vështronin nga sipër
Mikpritja shqiptare, midis atraksionit dhe sherbimit turistik! Dritan ZAIMI,  Kontakt: dzaimi@gmail.com Nëse do të pyesinim një të huaj që viziton Shqipërinë se çfarë i ka lënë më shumë përshtypje  gjatë vizitës në vendin tonë, patjetër që pavarësisht  eksperiencave të tyre individuale, të gjithë do të vëjnë në pahë mikpritjen shqiptare, zakonin që befason dhe nuk të zhgënjen, ende! Sot, e ndeshim shpesh terminologjinë, industria e turizmit dhe mikpritjes, duke nënkuptuar lidhjen e fortë dhe të pashmangëshme që egziston midis turizmit dhe shërbimit të kujdesit ndaj klientëve. Në ndërtimin e një produkti turistik, merr shumë rëndësi imazhi i vendit që shërben si destinacion turistik, zakonisht  investohet shumë kohë dhe mjete për krijimin dhe mirëmbajtjen e imazhit pozitiv, por nuk është dashur të bëhej asnjë investim konkret që të krijohet imazhi pozitiv për mikpritjen shqiptare, sepse ai ka buruar natyrshëm nga tradita e popullit në shekuj, është përforcuar në historit