Albanopolisi i panjohur -atje ku zë fill emri ndërkombëtar i shqiptarëve
Kontakt: dzaimi@gmail.com
“Të dish apo të kesh?”, një
pyetje që e hasim shpesh dhe sipas mënyrës tonë i përgjigjemi duke kënaqur
rrethana të caktuara, por “të kesh dhe të mos e dish” kjo do të ishte sa
ironike aq edhe e dhimbëshme. Kur bëhet fjala për destinacione turistike, shtete
të tëra sot në botë, mundohen të jenë sa më shumë atraktivë në sytë e turistëve.
Secili duke u bazuar në burimet e veta, përcakton kompetencat dalluese dhe
zhvillon avantazhin konkurues për të thithur sa më shumë vizitorë. Edhe nese
nuk i kanë vlera të caktuara, i krijojnë
ato. Po kështu çdo rajon brenda një vendi, dhe çdo qytet brenda çdo rajoni, thërret
gjithë atraksionet e veta për të realizuar një paketë sa më të plotë,
intriguese dhe interesante për turistët duke pasuruar jo vetëm eksperiencën e
turistëve por edhe jetën dhe mirëqënien social-ekonomike të komunitetit të tij.
Eh padyshim, në këtë mori vlerash të ofruara, ato më të lashtat, kanë
privilegjin të vizitohen më shpesh dhe të vlerësohen më shumë.
Mu desh ta filloja në këtë mënyrë
këtë shkrim të shkurtër, për tu ndalur posaçërisht në jetën e banorëve të një qyteti
të vogël, ku jeta gëlon me halle dhe papunësi si në shumë të tjerë në Shqipëri,
pikërisht në Fushë-Krujë. Atje, ku çdo
vit kalojnë me autobus me mijra turistë të drejtuar drejt Krujës dhe që rrallë
ndalen në Fushë-Krujë dhe rrethinat e saj.
Ate ku fle në heshtje një ndër thesaret më të çmuara që lidhet thellë me
identitetin tonë, dhe që për çudi njihet shumë pak edhe nga vetë banorët e Fushë-Krujës,
dhe edhe me pak vizitohet prej tyre.
Qyteti antik Albanopolis ose Zgërdheshi i sotëm gjendet ndërmjet qytetit të Fushë- Krujës dhe atij të
Krujës, vetëm 10 km larg Aeroportit „Nënë
Tereza“. Megjithëse ende i pazbuluar dhe studjuar mirë, tani atje duken qartë
muret rrethues dhe disa objekte të tjerë karakteristik. Të dhënat e para të
shkruara për këtë qytet gjenden në veprën e Ptolemeut „Gjeografia“, në
shekullin e dytë të erës tonë. Mendohet që qyteti ka qenë kryeqëndra e fisit
ilir të Albanëve, nga të cilët rrjedh edhe emri ynë në botë, gjeneza e pasaportës
tonë ndërkombëtare. Çdo banor i Fushë-Krujës duhet të ishte orator i palodhur,
të fliste vazhdimisht e me mburrje, madje deri në egoizëm, për këtë vlerë të
zonës së tij, madje të tërhiqte pas krahu çdo vizitor duke mos e lëshuar pa i
treguar këtë kala të lashtë, dhe sigurisht në këtë mënyre të ishte pjesëmarrës
aktiv në zhvillimin e turizmit dhe të nxirrte përfitimet e tij ekonomike
nëpërmjet kontributit të tij. Fatkeqësisht, asnjëra dhe as tjetra nuk ndodh.
Sipas
studimeve të dijetarit të shquar shqiptar Prof. Selim Islami[i],
qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit të IV deri në shekullin e I para erës së
re. Ai u ndërtua fillimisht mbi bazën e një vendbanimi të fortifikuar të fiseve
ilire të këtyre trevave gjatë periudhës protourbane. Studime e gërmime të pjesëshme
që njihen, janë bërë në këtë qytet që në mesin e shekullit të XIX nga shumë
dijetarë të huaj ndër të cilët austriaku Georg Hahn. Rilevimi i parë topografik
i zonës së qytetit është bërë në qershor të vitit 1919 nga arkeologët austriake
Praschniker e Schober. Veçanërisht ata bëne rilevimin e sistemit të
fortifikimit dhe studjuan muret karakteristik rrethues të ndërtuar me blloqe
gurësh kuadratik shumë të mëdhenj.
Është provuar që në kohën e lulëzimit të tij, Albanopoli ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe që kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera. Gjatë gërmimeve atje janë zbuluar gjetje të shumta ndër të cilat shumë monedha të prera në Dyrrah, Apolloni, Lisus, Korkyre, Maqedoni etj.
Është provuar që në kohën e lulëzimit të tij, Albanopoli ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe që kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera. Gjatë gërmimeve atje janë zbuluar gjetje të shumta ndër të cilat shumë monedha të prera në Dyrrah, Apolloni, Lisus, Korkyre, Maqedoni etj.
Me kalimin e shekujve, për shkak edhe të luftrave e lëvizjeve të mëdha në Ballkan e në tërë Europën, Albanopoli e humbi rëndësinë e tij si qytet por ka lënë pas gjurmët e një qytetërimi të lashtë që dëshmojnë historin e lavdishme të shqiptarëve. Të vizitosh Albanopolin do të kesh mundësi të lexosh pak nga historia e Shqipërisë. Të gërmosh e të studjosh Albanopolin, me siguri do të gjendesh përpara gjurmëve të një nga qytetërimeve më të lashtë të Mesdheut.
Duke u nisur nga fakti se në libra, emri Zgërdhesh përmëndet shumë
pak, ose shumë përciptasi, të krijohet ideja se kemi të bëjmë me një histori e
cila nuk ka lënë shumë gjurmë, ose maksimumi një pirg të izoluar me gurë të
çrregullt, dhe ndërsa e viziton këtë vend të lashtë dhe njihesh me përmasat,
shtrirjen përgjatë faqes së një kodre të tërë, kur sheh fragmentet e mureve që
qëndrojnë ende, pozicionin strategjik, kur shijon pamjen mjaft piktoreske dhe
njihesh me historinë e lashtë, mbetesh i magjepsur dhe fajtor që nuk e ke
njohur me parë, që e ke injoruar këtë vlerë të madhe deri tani, dhe madje
kritikon në faj edhe persona të tjerë që ndoshta e kanë ditur dhe nuk të kanë
treguar. Si ka mundësi, ky vend që duhet të vizitohet nga çdo shqiptar, që
ndodhet kaq afër kryeqytetit, që na ka dhënë emrin Albania dhe Alban, të jetë
kaq i panjohur?! E çuditshme gjithashtu që rruga megjithëse jo shumë e gjatë
nga Fushë-Kruja deri në Zgërdhesh, nuk është shtruar akoma, që nuk gjen një
ciceron dhe madje informohesh që nuk ka madje as roje. E çuditshme që nuk gjen
asnjë foto, tabelë apo tjetër mjet informative nëse je ne vendndhodhje dhe
interesohesh të mesosh më shumë. E çuditshme që ndërsa rruga për në Zgërdhesh
devijon nga rruga automobilistike, nuk të kap syri asnjë shenjë apo tabelë
dinjitoze për këtë vend të rrallë. E çuditshme që atje rrallë gjen turistë,
megjithëse autobuzët e mbushur plot me turistë kalojnë gjithmonë rrugës për në
Krujë, dhe sërish e çuditshme që askush nga agjencitë turistike në Fushë-Krujë
apo Krujë nuk e ka futur në itinerarin e vet.
Kruja, në vetvete ka një histori të lavdishme,
por është më e vonë se ajo e qytetit antik Albanopolis, e megjithatë, të dyja këto
qytete (Fushë-Krujën dhe Krujën e sotme) i bashkon një simbolikë madhore në
kontributin që ato kanë dhënë në identitetin tonë kombëtar. Kruja si qëndresa e
Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut,
dhe qyteti antik Albanopolis si origjina e pasaportës sonë ndërkombëtare, dy fakte mjaft tërheqës për çdo historian apo
vizitorë të thjeshtë, dhe kaq pranë njëri-tjetrit këto vende, kaq pranë
Aeroportit Ndërkombëtar, dhe Tiranës, kaq afër portit të Durrësit. A nuk do të
ishte plot me vlerë një itinerar që do të gërshetonte të gjitha këto saite si:
Amfiteatrin e Durrësit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Prezës, Kalanë e Zgërdheshit
dhe Kalanë e Krujës, në një tur mbresëlenës midis antikitetit dhe mesjetës
shqiptare. Besoj se asnjë vizitor nuk do të mbetej i zhgënjyer.
Comments
Post a Comment