Shqipëria dhe oferta turistike
Shqipëria turistike duhet të jetë ajo që blejnë turistët dhe jo ajo që shesim ne
Dritan Zaimi
Kontakt: dzaimi@gmail.com
Dritan Zaimi
Kontakt: dzaimi@gmail.com
Turizmi
është sot industria me rritjen më të shpejtë dhe zhvillimin më dinamik
në botë. Menaxherëve, planifikuesve dhe politikbërësve u duhet të jenë
shumë vigjilentë, mendjemprehtë, praktikë dhe efiçentë në marrjen e
masave të duhura dhe zbatimin e tyre në kohë, kjo pasi tendencat e reja
në një turizëm me rritje të shpejtë tentojnë të zhvlerësojnë shpejt
shumë strategji të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me hapin e
zhvillimit të turizmit. Një plan veprimi i vonuar mund të dalë jashtë
loje apo të jetë joaktual nëse vonon të prodhojë veprim dhe reagim në
kohën e duhur.
Për
Shqipërinë, kjo është edhe më shumë e vërtetë (futur në tregun e
turizmit pas një kohe të gjatë izolimi dhe pa patur mundësi të
eksperimentonte apo të ndërtojë një produkt të vetin turistik), është e
vështirë të përcaktosh çfarë mund të ofrojë më mirë Shqipëria në mënyrë
që të diferencohet, të krijojë një avantazh konkurrues dhe të tërheqë sa
më shumë nga vizitorët e rajonit dhe më gjerë. Nëse do të marrim
turizmin tradicional të diellit dhe rërës, Shqipëria nuk mund të
konkurojë me vendet e rajonit të cilat ofrojnë shumë më tepër për nga
pikëpamja e infrastrukturës apo cilësisë së shërbimeve dhe produkteve
turistike. Ndërkohë në botë, turizmi i diellit dhe rërës po humbet
terren ndaj turizmit kulturor, aventurier dhe eko-turizmit, ai po
përjeton rritje jo më shumë se 2-4% krahasuar me 15-20% rritje vjetore
të turizmit kulturor.
Sot,
në këtë fazë ku jemi, nuk mund të themi dot çfarë profili turistik
përfaqëson destinacioni Shqipëri. Është Shqipëria më shumë destinacion i
pushimeve në det, apo në mal, i turizmit kulturor, apo i ekoturizmit,
apo i ndonjë lloji tjetër. Ndërkohë që çështja që duhet të ngremë është,
a ka nevojë tani Shqipëria për një marketim të tillë vetëm në njërin
apo në tjetrin produkt turistik, nëse nuk kemi mundur ta bëjmë deri tani
dhe të nxirrnim përfitimet përkatëse?! Ndoshta, në këtë kontekst
realisht duhet të luajmë rolin e dhelprës me rrushtë, as që duhet ta
synojmë, sepse mund të ketë shtigje të tjera për tu takuar me
konkurentët tanë në kushte edhe më të favorshme dhe duke kompensuar në
këtë mënyrë kohën e humbur. Për këtë duhet të jemi vizionarë dhe të
synojmë të plotësojmë atë që do të duan më shumë turistët në 20 vitet e
ardhshme dhe jo atë që kanë dashur në 20 vitet e fundit.
Kjo
për faktin, se ritmi i rritjes dhe prirjet e turistëve tani kanë pësuar
një evoluim mjaft cilësor drejt një pakete eksperiencash sa më të
pasura. Turistët sot janë bërë shumë më tepër kërkues dhe të sofistikuar
në kërkesat e tyre, janë me pervojë, nuk mjaftohen më lehtë vetëm me
pushime pasive në det pranë rërës dhe plazhit por duan një paketë me një
mori përvojash të larmishme, dhe një sërë aktivitetesh për të mbushur
ditët e tyre të pushimeve. Një ditë në plazh, mbasdite një vizitë në një
park arkeologjik, në mbrëmje një koncert, të nesërmen një shkëptuje për
një shëtitje në një park tërheqës natyror, një vizitë në muze etj. Një
varietet eksperiencash të reja dhe intriguese, si vlerë e shtuar ndaj
pushimeve tradicionale në bregdet, është ajo çfarë po kërkojnë gjithnjë e
më shumë turistët sot në botë. Destinacione të sukseshme turistike janë
ato që ofrojnë sa më shumë, në një hark kohor dhe distancë sa më të
shkurtër nga njëra tjetra, gjë që Shqipëria i ofron më së miri.
Mosprofilizimi dhe si rrjedhoje mosspecializimi në një produkt të
caktuar turistik nga ana e Shqipërisë ka avantazhin dhe disavantazhin e
vet. Disavantazh për faktin se duke mos u diferencuar me një produkt apo
ofertë të caktuar shton pasiguri në radhët e turistëve që dëshirojnë të
prenotojnë pushime në Shqipëri duke ushqyer frikën e mos përfitimit të
kënaqësisë dhe cilësisë maksimale në asnjërën nga atraksionet e synuara,
dhe si rrjedhojë mospërmbushje të pritshmërive dhe zhgënjim. Avantazh
për faktin se turistëve nuk u ofrohet një Shqipëri e pjesshme, por
Shqipëria e plotë, me të gjjithë larminë dhe potencialet e saj të shumta
turistike, si një sofër bujare, ku çdo vizitor do të ulet, do të marrë
dhe do të shijojë atë pjesë të ofertës që pëlqen më shumë. Në fakt, kjo
është ajo çfarë duhet të jetë Shqipëria. Shqipëria turistike nuk është
ajo qe ne do të duam të shesim si të tillë, përkundrazi, do të jenë vetë
turistët, vit pas viti e ndoshta dekade, në sajë të përzgjedhjes dhe
vlerësimit të tyre, ata që do ti japin markën Shqipërisë turistike. Në
një ofertë të pasur turistike, me diell e det, me male dhe lugina, me
arkeologji dhe histori, me tradita dhe folklor, me natyrë dhe
biodiversitet, me aktivitete dhe larmi, me moderne dhe antikitet, me
zona të zhvilluara por edhe me zona të papekura fare nga zhvillimi dhe
të virgjëra, me njerëz bujare dhe mikpritës, luksin dhe sfidën e
përzgjedhjes e ka turisti. Ne duhet të jemi vëzhgues, sigurues të
cilësisë së kërkuar dhe garantues të zhvillimit të qëndrueshëm.
Që
të kemi sukses, duhet të investojmë ndjeshëm në rritjen totale të
cilësisë në të gjitha dimensionet e ofertës tonë turistike. KJO duhet të
jetë detyra jonë, të përkrahim zhvillimin, të mosparagjykojmë se cila
formë zhvillimi na përket më shumë, dhe të synojmë që çdo turist të
përftojë një eksperiencë befasuese e mbresëlënëse në çdo kontakt të tij
me ofertën tonë.
Që
ta realizojmë, duhen kombinuar dy trajektoret e lëvizjes; jona, dhe e
turistëve kudo në botë, duke synuar në këtë mënyrë që kur ne të jemi
afër qëllimit tonë final atje do të takojmë turistin që kemi synuar.
Comments
Post a Comment