Parathënie: Pasi e kam dërguar këtë artikull që në Gushtin e kaluar (Gusht
2013) në disa media dhe nuk është botuar, vendosa ta botoj vetë në këtë
blog. Sot jemi në një tjetër dimension komunikimi publik, sot ne mund të
krijojmë apo zhvillojmë vetë rrugët e komunikimit me publikun dhe audjencën tonë,
për të komunikuar dhe ndarë me ta mendimet të cilat i konsiderojme me vlerë.
Duke ju falenderuar për kohën, më poshtë është artikulli.
Ka
ardhur koha për një Kongres Mbarëkombëtar për TURIZMIN
Nga: Dritan
ZAIMI
Kontakt: dzaimi@gmail.com
Impakti direkt dhe
indirekt i turizmit në GDP-në botërore për vitin 2012 është 9%, ai ofron 1/11
vende pune, përbën 1.3 trilion USD eksporte duke zënë 6% të eksporteve botërore,
ndërkohë që parashikimet janë që deri në 2030 numri i vizitorëve ndërkombëtarë
të arrijë në 1.8 billion, me një ritëm rritje prej 4.4% tek ekonomitë që futen
së fundmi në tregun turistik, një rritje kjo dyfish e asaj në ekonomitë e avancuara
e parashikuar të jetë 2.2%. Gjatë vitit 2012 rritja në mbërritje u barazua me
rritjen në të ardhurat, të dyja shënuan rritje reale prej 4% secila, të ardhura
prej 1,075 billion dollarë amerikanë. Europa si gjithmonë zë pjesën dominante në
tregun botëror të turizmit, me 51.6%, ku nënrajoni i Mesdheut sërish është më i
vizituari në Europë, me 191.1 milion vizitorë, duke zënë 18.5% të Europë.
(Burimi: Raporti UNWTO Tourism
Highlights, July 2013 Edition)
Këto janë vetëm disa
nga faktet që ofron turizmi në botë, kjo forcë e madhe që lëviz dhe ndez shumë
turbina duke rritur nivelin mirëqënies në shumë vende që e kanë lidhur
ekonominë e tyre me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Padyshim kur flasim për
turizmin dhe rëndësinë që duhet ti kushtojmë është mirë të flasim seriozisht,
kjo pasi është bërë e udhës këto vite të dëgjojmë turizmi është prioritet i kësaj
apo i asaj qeverie, në fushatat zgjedhore turizmi është një armë e fuqishme
zhvillimi në programet e shumë subjekteve politike, por që në fakt harrohet
shumë shpejt porsa ndodh të vijnë në pushtet.
Prioritet nuk e bën një
deklaratë, në rastin më të mirë kjo shprehë vetëm dëshirën apo vullnetin e mirë,
por janë veprimet konkrete ato që tregojnë se sa prioritet është ai në ekonominë
e një vendi. Bie fjala, nuk ka sesi të jetë prioritet kur ky dikaster ka patur
raste që është lënë për muaj të tërë pa një titullar, kur pushtetit lokal ia
rrembejmë vëmëndjen nga problemet e turizimit në prag sezoni dhe ia drejtojmë
tek procesi zgjedhor çdo dy vjet që bëhen zgjedhjet e përgjithëshme dhe ato lokale,
nuk ka sesi të jetë prioritet kur mungojnë shifrat për turizmin, analizat e
plota dhe të detajuara përsa i përket kërkesës dhe ofertës, nuk ka sesi të jetë
prioritet kur mungojnë programet e trajnimit dhe formimit profesional në një
fushë që shquhet se ka mungesë të theksuar të specialistëve dhe menaxherëve, madje
sikur të mos mjaftonte mungesa e eksperiencës dhe hyrja jonë e vonë në tregun
turistik, ne shpesh sërish presim që studentët të arrijnë në vitin e tretë dhe
atëherë të mësojnë për turizmin, gjithmonë për ata studentë që kanë zgjedhur të
ndjekin degën menaxhim turizëm apo të ngjashme, në një kohë kur turizmi si
fenomen është aq multidispilinar sa që është e domosdoshme studimi i tij që në
fillore dhe gërshetimi në vazhdim më lëndë të tjera si gjuhë e huaj, gjeografi,
histori, biologji, sociologji, sport, kulturë etj, në mënyrë që të prodhojë sa
më shumë vlerë në shërbimin ndaj turistit.
E po kështu nuk ka sesi
të jetë prioritet kur në plazhet tona mungojnë elementë të tillë si uji dhe
dritat, higjena e pastërtia, qetësia dhe siguria, nuk ka sesi të jetë prioritet
kur ndërhyrjet në peisazhe, në arkitekturë dhe infrastrukturë bëhen rëndom dhe
pa asnjë kriter për zhvillimin e qëndrueshëm.
E po të ecim kështu
lista do të jetë e gjatë, problematikat janë të shumta, jo për të errësuar përpjekjet
pozitive për promocionin dhe përmirësimin në infrastrukturën rrugore veçanërisht
këto vite të fundit, por për të hedhur dritë mbi çështjet e mbuluara nga errësira
dhe të patrajtuara për vite me radhë dhe mbi të gjitha për të theksuar
domosdoshmërinë se asgjë nuk duhet fshehur por duhet zgjidhur me kontributin e
të gjithëve.
Turizmi është si një
anije në det të hapur, e cila nëse pëson avari por të gjithë antarët e
ekuipazhit angazhohen njëlloj, ajo ka shumë shance të mbërrijë e sigurtë në
breg, por nga ana tjetër mjafton që vetëm njëri nga ekipi të sabotojë dhe anija
përfundon në fund të detit. Turizmi është ai fenomen kompleks që sjellë bashkë
aktorë nga fusha dhe industri të ndryshme, mjafton që cilësia e shërbimit të
çalojë në njërën nga hallkat: hotel, transport, restorant, komunitet,
mikpritje, siguri rrugore dhe shendetsore etj, dhe anija nuk mbërrin më në breg
vitin tjetër.
Do të arrijmë ta besojmë
se e kemi bërë prioritet turizmin vetëm atëherë kur çdo antarë i shoqërisë sonë,
i madh e i vogël, e kupton se çfarë është
turizmi, kupton mënyrën sesi zhvillohet ai, kupton përfitimet dhe impaktet
negative, kur çdo qytetar i thjeshtë apo banor i komunës së largët e kthen turizmin
në prioritet të ditës së tij, kur mendon dhe vepron çdo ditë në favor të
turizmit, për të kontribuar, për të ofruar dhe për të përfituar nga kjo rritje
e madhe nga ku edhe Shqipëria mund të dalë teje përfituese.
Nga duhet tja nisim?
Ka ardhur koha që të
mendojmë seriozisht për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar për TURIZMIN,
jo asnjë kongres politik, potencialet turistike dhe turisti, nuk janë asete
politike por mbarëkombëtare. Qëllimi i këtij kongresi duhet të jetë marrja e
masave për kthimin e turizmit në një prioritet real mbarëkombëtar.
I konceptuar si një
arenë, e ngjashme me festivalin folklorik të Gjirokastrës deri diku, ai do të
jetë një tribunë ku do të dëgjohet zëri e çdo kujt aktori që lidhet me turizmin
brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tribunë ku do të ngjiten me radhë të gjithë aktorët
e pushtetit lokal nga të 12 qarqet, bashkitë, komunat, biznesi dhe të promovojnë
potencialet turistikë të çdo rajoni dhe të paraqesin prioritetet, projektet dhe
problematikat përkatese. Kjo do të ndihmojë të njihen bukuri të shumta lokale të
cilat kanë vlera, potenciale dhe aftësi të madhe për të ndryshuar dhe përmirësuar
mirëqënien e banorëve lokale, si edhe kthimi real i tyre në mundësi punësimi
dhe aktivitet që gjenerojnë të ardhura.
Një tribunë ku me radhë
do të ngjiten sektorët e industrisë turistike, hoteleria, agjencitë dhe tur
operatorët, linjat e transportit etj për të paraqitur të gjithë shqetësimet,
kërkesat dhe propozimet e tyre për përmiresimin e situatës. Një ditë e caktuar
duhet ti lihet diskutimit nga organizatat jofitimprurëse lokale, kombëtare dhe
ndërkombëtare për të paraqitur konstatimet dhe opsionet e tyre. Nuk duhet të
mungojë në këtë kongres hapësira e nevojshme për akademikët e fushës së
turizmit për të demonstruar dhe sjellë njohuritë me bashkëkohore në këtë fushë.
E kështu me radhë të argumentojnë dhe të paraqesin idete e tyre të gjithë ekspertët
dhe analistët, të kenë mundësinë të shprehen edhe grupe të rëndësishme interesi
brenda apo jashtë vendit, për të dëgjuar më tej politikbërësit dhe
vendimmarrësit përfaqësues të qeverisë, ministrisë apo strukturave përkatëse që
do të mbulojnë turizmin, Agjensisë Kombëtare të Turizmit, drejtuesit e galerive,
muzeumeve, parqeve arkeologjike dhe natyrore, por edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të
gjitha ministritë që kanë një impakt mbi turizmin si ajo e transportit,
ekonomisë dhe energjitikës, bujqësisë, ushqimit, shëndetsisë, mjedisit, rendit,
arsimit, punës etj.
Nuk duhet të mungojnë
as përfaqësues nga Kosova, Maqedonia dhe
Mali i Zi, rajonet që kanë përbërë tregun kryesorë, nuk ka sesi të injorohet zëri
i tyre, së pari sepse kanë përbëre kërkesën kryesore turistike për pushime në
Shqipëri, së dyti do ti kontribuonte promovimit të vlerave turistike, forcimit
të bashkëpunimit dhe shkëmbimin të eksperiencave sidomos me Kosovën, dhe së treti, do të kontribuonte në përpilimin
e paketave turistike për turistë të cilët duan të arrijnë në një njohje më të
gjërë të të gjithë rajonit.
Nën prezencën e
organizmave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Turizmit, UNESCO, Këshillit
Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit etj, dhe nën këshillimin e ekspertëve të
tyre, ky kongres duhet të jetë i aftë të hartojë vizionin e turizmit shqiptar
dhe të projektojë rrugën drejt tij. Ai do të shërbejë si një lobarator idesh
dhe unifikim mendimesh dhe burim i çmuar informacioni për marrjen e vendimeve
të drejta dhe hartimin e strategjive të duhura afatgjate.
Më në fund duhet të
kuptojmë njëherë e mirë cilat janë projektet, iniciativat, praktikat dhe modelet
e sjelljeve që do të mbështeten dhe inkurajohen dhe cilat janë ato që do të luftohen,
ndalohen dhe ndërshkohen rreptësisht nga vetë shoqëria dhe insitucionet përkatëse,
duke hequr dorë njëherë e mirë nga spontaniteti në zhvillimin e turizmit.
Gusht, 2013.
Comments
Post a Comment