Edukimi Mjedisor dhe Turizmi
28
Prill 2014
Dritan
Zaimi, kontakt: dzaimi@gmail.com
Në zhvillimin e turizmit, merr një rëndësi të madhe
edhe studimi i mjedisit, asnjë eksperiencë turistike nuk është krejt e
shkëputur dhe izoluar nga kontakti me mjedisin, për aq kohë sa me turizëm
nënkuptojmë lëvizjen nga një pozicion gjeografik në një tjetër, atëherë edhe
raporti ynë me mjedisin është i rikonfiguruar, kjo e thënë në mënyrën më të
thjeshtë të mundëshme. Ndërkohë, në të shumtën e rasteve, ashtu siç edhe e
dimë, kontakti me natyrën, me bukuritë dhe veçoritë e saj, është ndër arsyet kryesore përse njerëzit vizitojnë vende të reja. Në një kontakt, teje intensiv me natyrën siç është edhe ai i turizmit, janë të pashmangshme edhe pasojat negative që mund të vijnë herë si pasojë e papërgjegjshmërisë individuale apo kolektive dhe hërë si pasojë e mungesës së ndërgjegjësimit apo mospasjes së informacionit përkatës si nga ana e banorëve lokalë por edhe nga ana e turistëve që vizitojnë një vend të ri, duke mos njohur veçoritë dhe specifikat e mjedisit të ri dhe pasojat e mundëshme të veprimeve të tyre mbi të. Në të dyja rastet e mësipërme, analizimi i shkakut dhe ofrimi i zgjidhjeve duhet të shihen tek informimi dhe ndërgjegjësimi. Është detyrë e të gjithë organizatave pubike, prívate apo joqeveritare në fushën e mjedisit dhe të turizmit që të hartojnë programe informimi mbi veçoritë natyrore të zonave të tyre, të ndërgjegjësojnë banorët lokalë dhe vizitorët mbi dëmet apo rreziqet potenciale që vijnë nga aktivitete të pakontrolluara si nga ana e komunitetit ashtu edhe nga bizneseve turistike si edhe nga vetë vizitorët, dhe po kështu të orientojnë vëmëndjen e këtyre të fundit ndaj vlerave të rralla natyrore të zonës me qëllim shtimin e kuriozitetit dhe rritjen e fuqisë tërheqëse të tyre.
Guiduesit, duhet të kenë informacion të pasur rreth florës dhe faunës së vendeve që vizitojnë në mënyrë që vizitorët të realizojnë një njohje sa më të mirë dhe të përftojnë një eksperiencë sa më të pasur. Ruajtja e mjedisit është një përpjekje e cila ka nevojë për angazhimin dhe kontributin e shumë aktorëve, eskpertiza e të cilëve është shumë e mirëpritur dhe e vlerësuar. Kështu, është detyrë e botanistëve, biologëve, zoologëve, gjeologëve dhe e të tjerë specialistëve lokal që të përgatisin udhëzuesa dhe katalogë për zonat e tyre, dhe të realizojnë njohje dhe shpërndarje të gjërë. Në këtë mënyrë ata do të kontribuonin në evidentimin e vlerave të zonës, do të ndërgjegjësonin banorët lokale dhe do të jepnin një kontribut të vyer edhe në rritjen cilësorë të punës së organizatorëve dhe shoqëruesve të udhëtimeve turistike.
Ndjekja e shtigjeve të mirë-studjuara me qëllim ruajtjen e mjedisit nga veprimtaria e pakujdeshme njerëzore, udhëzimi mbi qëndrimin ndaj mbetjeve që krijohen gjatë fushimit pranë atraksioneve, largimi i mbeturinave, ruatja dhe mos shqetësimi i botës së egër, respektim i kulturave dhe zakoneve lokale, etj janë më tej vetëm disa nga rregullat bazë që duhet të udhëqin organizatorët dhe shoqëruesit e udhëtimeve turistike në natyrë me qëllim që turizmi të mos jetë viktim e veprimtarisë së tij. Në Shqipëri, shembujt nga e kaluara janë të shumtë, por ndryshe nga me parë kur vëmëndja kthehej nga praktikat e këqija mjedisore në bregdet, tani alarmi bie me shumë se kurrë edhe për mbrojtjen e mjediseve malore. Tani që gjithmonë e më shumë po shtohen vizitorët në malet dhe në zonat rurale, po ndihen edhe pasojat e para të një aktiviteti aspak etik dhe shumë të dëmshëm dhe të kushtueshëm për të ardhmen.
Por çështjet e mjedisit nuk prekin thjesht dhe vetëm turizmin, por ndikojnë në të gjithë ekuilibrat që sigurojnë egzistencën tonë, harmoninë dhe paqen e marrëdhënies tonë me mjedisin. Ndaj fokusimi mbi edukimin mjedisor merr një dimension shumë më të madh.
Duke filluar që në vitet gjashtëdhjetë, kur modeli i krijuar i rritjes u sfidua dhe u denoncua ndikimi i tij mbi mjedisin, janë kryer diagnoza të shumta të krizës së mjedisit. Qëniet njerëzore gradualisht po fillojnë të kenë një pikëpamje të re mbi mjedisin e tyre dhe një perceptim i ri i marrëdhënies njerëzim-shoqëri-mjedis po fiton terren. Shumë raporte dhe manisfete që kanë dalë gjatë këtyre viteve pohojnë, ndërmjet të tjerash, nevojën për të marrë masa për të frenuar shkatërrimin në rritje të planetit. Këto propozime janë njohur menjëherë nga institucionet. Kështu, në arenën ndërkombëtare, Organizata e Kombeve të Bashkuara, kryesisht nëpërmjet UNESCO dhe UNEP, është promotori kryesor i studimeve dhe programeve për mjedisin.
Destinacionet më të suksesshme turistike sot në botë janë ato që kanë ditur të investojnë ndjeshëm në përmirësimin e performancës mjedisore. Turizmi shikon tek mjedisi një partner të pazëvendësueshëm dhe synon që këtë marrëdhënie me të ta kthejë në një avantazh konkurrues të pasfidueshëm.
Comments
Post a Comment